Poete Elmije Ajazi kujton me mallëngjim vëllaun

Sonte është Natë Bajrami…

Dhe ndërsa gjithçka ndriçon jashtë,
brenda meje është një vend që s’ka ndriçuar më,
që nga dita kur ti ike, vëlla.
Nuk ishe veç një vëlla për mua.
Ishe krah, ishe zemër, ishe mbështetje…
Njeriu që e ndante me mua çdo hall e çdo gëzim,
e që për mu ishte më shumë se çdo fjalë që mund të them.

Zoti të deshi më shumë…
dhe unë mbeta me mall, me kujtime, me mungesë që nuk shërohet.
Sot më mungon fort. Jo veç në këtë natë të madhe,
por në çdo ditë që kalon pa ty, në çdo moment që s’di si me e mbush.

Unë buzëqesh për fëmijët e mi,
por ka një pjesë të zemrës sime që qan për ty në heshtje.
Një pjesë që s’ka gëzim të plotë, sepse ti nuk je.
E kjo nuk ndryshon, as nuk shuhet me kohë.

Lutu për motrën tënde atje ku je,
se kjo motër lutet për ty çdo ditë.
Bajrami pa ty nuk është më i njëjti…
por dashnia për ty mbetet e përjetshme.
Të dua, vëlla. Përgjithmonë.