Nga profesoreshë Kumrie Shala

PEJA, FESTON DITËN E ÇLIRIMIT!
Biblioteka ‘Azem Shkreli’ bëhet arenë frymëzimi për të rinjtë

Për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës, u mbajt një orë letrare me pjesëmarrjen e artistëve dhe krijuesve të rinj nga shkollat e qytetit.

Sot më 13 qershor 2025, në Bibliotekën “Azem Shkreli”, nën patronatin e drejtoreshës znj. Shengyl Kelmendi Gashi , u zhvillua një orë letrare me krijues të rinj, për të nderuar Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe 16 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Komunës së Pejës. Në këtë aktivitet morën pjesë poetë, shkrimtarë dhe të rinj të talentuar nga komuna jonë.
Faleminderit drejtoreshës Shengyl, e cila mundësoi që të dalin në pah shumë artistë të rinj, që kishin shkruar poezi dhe ese kushtuar luftës së lavdishme të UÇK-së dhe çlirimit të vendit tonë. Krijuesit e rinj na emocionuan thellësisht me fjalët e tyre, që ringjallën kujtimet e dhimbshme, sakrificat dhe krenarinë tonë kombëtare.
Shkollat e qytetit kishin përzgjedhur disa nxënës nga secila shkollë për të recituar krijimet e tyre. Poezitë dhe esetë e përgatitura nga vetë ata, na lanë pa fjalë. Shkrimet ishin të bukura, të fuqishme dhe të mbushura me emocion. Ky sukses i tyre është fryt i punës së mësuesve dhe pedagogëve, të cilët i kanë udhëhequr nxënësit drejt zhvillimit të talentit.
Në këtë orë letrare ishin të pranishëm edhe poetë e poetesha të njohur të komunës sonë, shumë prej të cilëve kanë botuar disa libra. Një veçanti e këtij aktiviteti, falë kujdesit të drejtoreshës, ishte formimi i një komisioni vlerësues, që u dha shpërblime për krijimet më të mira.
Për mua, të gjithë krijuesit e rinj ishin fitues të vërtetë!
Ky takim më bëri të mendoj se rinia jonë duhet patjetër të njihet me historinë e çlirimit dhe të pavarësisë së kombit tonë. Më gëzoi fakti që nxënësit ishin të informuar për kontributin e UÇK-së, dhe se historia duhet të shkruhet drejt, duke përfshirë edhe ndihmën e NATO-s, në krye me Amerikën, që na ndihmuan të gëzojmë lirinë.
U derdh gjak, sepse duhej të derdhej gjak për ta zgjuar bashkësinë ndërkombëtare nga gjumi, të na dilte në ndihmë. Falë kësaj ndihme dhe sakrificës së popullit Dardan, dëshmorëve, martirëve, të zhdukurve, të dhunuarve, invalidëve të UÇK-së, veteranëve dhe të burgosurve politik, sot ne gëzojmë lirinë.
Me shumë mirënjohje për drejtoreshën Shengyl, kjo orë letrare ndezi dëshirën dhe vullnetin tek krijuesit e rinj që të vazhdojnë të shkruajnë për vlerat dhe sakrificën e kombit tonë.
Ky aktivitet kishte një rëndësi të veçantë për ne poetët, shkrimtarët, historianët dhe gazetarët. U mahnitëm nga mënyra si fëmijët nën moshën 14-vjeçare kishin thurur vargje që na preknin deri në lot. Aktivitetet e këtij niveli i largojnë nxënësit nga dukuritë negative që, për fat të keq, i shohim çdo ditë.
Andaj, le të mbetet e hapur kjo rrugë për të gjitha shkollat e komunës, që të paktën dy apo tre herë në vit të organizohen aktivitete të tilla.
Në fund të këtij aktiviteti, krijuesve të rinj iu ndanë shpërblime në formë librash për esetë dhe poezitë e tyre të mrekullueshme. Drejtoresha Shengyl nuk na kishte harruar as neve poetëve, që kishim pasuruar bibliotekën e qytetit me titujt e librave tona, na dhuroj mirënjohje ne shenjē respekti!

Nga: prof. Kumrie Avdyl Shala