Nga atdhetari Genc Sefa -Lushnja

SHIU QË NUK JU LAN

Ka njerëz që nderin e nxjerrin në treg,
që shpirtin e shesin për fron e pushtet;
përballë të betohen për besë e për jetë,
pas shpine tregtojnë edhe atdheun e vet.

E veshin mëkatin me petkun e bardhë,
me fjalë të mëdha e me fytyrë të qetë;
por sado ta fshehin të vërtetën e hidhur,
asnjë maskë s’e mban të mbuluar përjetë.

Le të bjerë shi e le të vetëtijë stuhia,
le të vërshojnë përrenjtë mbi çdo shesh;
nuk lahet me ujë e as me gjyq të shtirë
një shpirt që e ka kthyer tradhtinë në besë.

Ka duar që falin, por zemra që vjedhin,
ka buzë që bekojnë, por mallkojnë në heshtje;
ka njerëz që ngjiten mbi kufoma të tjerësh,
pastaj recitojnë moral e drejtësi.

Paraja u dha karrige, u dha emër e pushtet,
por s’u dha dot shpirtin që vetë e shitën;
mund të na mashtrojnë për një kohë të shkurtër,
por jo historinë, që gjurmët ua shkruan.

Mos pritni që qielli t’ju zbresë me rrufe,
as toka t’ju nxjerrë para gjyqit një ditë;
se dënimi më i rëndë s’është burgu me mure,
por thika e turpit që s’të lë të flesh.

Kur koha të bjerë maskat një nga një,
kur fjala e rreme të mbetet pa strehë,
do të kuptoni se ari nuk blen pafajësi
dhe asnjë pasuri s’e shpëton njeriun nga vetja.

Le të bjerë shi mbi male e fusha,
le të vijë përmbytja, le të shkundet çdo gur;
ai që e ka shpirtin të nxirë nga mëkati,
nuk lahet nga shiu — veç zbulohet më shumë.

Se shiu i qiellit e lan baltën nga trupi,
por baltën e shpirtit s’e shkul asnjë stuhi;
mund të blini heshtjen, mund të blini lavdinë,
por s’ka para në botë që e shlyen tradhtinë.


Autor: Genc Sefa – Lushnja

19 tetor 2026 🇦🇱