Nga e nderuara Makfire Shala
KUR QIELLI DËGJON
Kur një njeriu i bëhet padrejtësi,
toka dridhet nga pesha e dhimbjes,
qielli dëgjon rënkimin e shpirtit,
që njerëzit nuk deshën ta dëgjonin.
Diku një nënë qan nga padrejtësia,
diku një jetim kërkon mëshirë,
diku një i pafajshëm mbart fajin e huaj,
e dikush mbi dhimbjen e tij jeton mirë.
Ku mbeti ndërgjegjja njerëzore?
Ku mbeti mëshira e njerëzimit?
Përse e ndërtojmë lumturinë tonë
mbi plagët dhe lotët e tjetrit?
Si mund t’ia thyeni zemrën
një njeriu që vetëm paqe kërkon?
Si mund t’ia rëndoni shpirtin,
kur ai vetëm drejtësi kërkon?
E nga thellësia e kësaj dhimbjeje,
sikur nga qielli të vinte një zë:
«Si mundët t’i bëni krijesës Sime padrejtësi?
Unë i dhashë një zemër për të dashur,
e ju ia mbushët me plagë e vetmi!»
Mos e ngrini veten duke rrëzuar të tjerët,
mos u pasuroni mbi mundin e huaj!
Mos heshtni kur drejtësia nëpërkëmbet,
sepse dhimbja e tjetrit duhet të na prekë të gjithëve.
Mos harroni, o njerëz të kësaj bote,
se pushteti dhe pasuria janë kalimtare,
por plagët që lini në shpirtrat e të tjerëve
mbeten dëshmi përpara drejtësisë hyjnore.
Kur të vijë dita e gjykimit,
nuk do t’ju mbrojë as pasuria, as pushteti.
Do të flasin lotët që ju shpërfillët,
do të dëshmojnë shpirtrat që ju thyet.
E kur drejtësia e Zotit të flasë,
asnjë gënjeshtër nuk do të ketë më peshë,
asnjë lot nuk do të mbetet pa dëshmi,
e asnjë padrejtësi nuk do të mbetet pa gjykim!
Me respekt e dashuri,
©️Makfire Shala
Stadt Luzern

