MYSLYM KETA LEGJENDA PARTIZANE

Myslym Keta – Historia e njeriut që njihet si atentatori më i madh i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri

U bë tmerri i italianëve dhe më vonë i gjermanëve. Emri i tij shënohej në listën e personave me diçiturën “tepër i rrezikshëm”. Është pikërisht Myslym Keta, i njohur ndryshe edhe si “Tata”.
Në veprimtarinë e tij shënohen jo pak por 60 atentate ndaj forcave nazifashiste dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Vetëm 14 vjeç ishte kur ndërmori hapat e parë në luftën kundër nazifashistëve. Por, në të vërtetë, ai është edhe njëri nga atentatorët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, kur ende nuk i kishte kaluar të 17-at. Sipas dokumenteve, nuk janë pak, por rreth 300 të vrarët nga dora e tij ose e njësitit që drejtonte. Fill pas çlirimit, dy gazetarë të huaj që kishin dëgjuar për aksionet e Ketës tentuan që ta intervistonin. I priti mjaft mirë, por për vete nuk tha asgjë. “Unë kam bërë detyrën që më takonte, meritë kanë shokët e mi që derdhën gjak për çlirimin e vendit”, u shpreh Keta dhe më pas u largua duke u kërkuar edhe falje. Kreu sa e sa aksione, të gjitha me sukses, por kurrë nuk mburrej për atë që kishte bërë. Jo pa qëllim pas çlirimit të vendit, pikërisht në korrikun e vitit 1947 ai u shpall “Hero Kombëtar”. Bashkëkohësit e tij e përshkruajnë si një person tepër të qetë, të thjeshtë dhe me një guxim të madh. Nuk kishte si të mos binte në sy trimëria e tij, pasi shumë shpejt në kurrikulumin e Ketës u shënuan atentate të mirorganizuara në mes të Tiranës. Italianët dhe më vonë gjermanët e kishin tmerr dhe në çdo çast që linin zyrat apo ndërmerrnin aksione, kishin frikën nëse Myslym Keta, djaloshi i veshur zakonisht me të zeza, do t’u dilte përpara dhe do t’i përshëndeste sipas mënyrës së tij, i vetëm apo me pak shokë. Mjaftonte të merrte një vendim të njësitit gueril dhe pas disa orësh vinte në bazë duke shqiptuar vetëm fjalët “misioni u krye me sukses”. Në këtë mënyrë djaloshi vetëm 18-vjeçar u bë legjendë për atentatet e shumta. Në mes të rrezikut, ai asnjëherë nuk mori qoftë edhe një plumb të vetëm nga armiqtë. Trupi i Ketës do të rridhte gjak vetëm në vitin 1966 nga një aksident i rëndë automobilistik, ku humbi jetën. Edhe në ato momente, Keta që, tashmë me meritë, mbante mbi supe yjet e kolonelit, mendoi për ushtarin që kishte me vete. “Unë nuk kam gjë, por kujdesuni për ushtarin tim”. Por, në të vërtetë, nuk ishte kështu, zemra e Myslym Ketës pushoi përgjithmonë, duke marrë me vete trimërinë e pashoqe dhe karakterin e një njeriu të thjeshtë. Cilat ishin aksionet më të bujshme. Si mundi të zinte rob një kolonel gjerman dhe 14 ushtarë. Si shpëtoi nga pushkatimi 10 fshtarë në Përmet. Si mundi të zmbrapste ushtrinë gjermane në Arbanë të Tiranës. Ç’kujtojnë ushtarakët madhorë gjermanë për këtë figurë. Si mundi që t’u shpëtonte atentateve pa u plagosur asnjëherë. Përse u shpall Hero Kombëtar, pas çlirimit të vendit. Aksionet më të rëndësishme të atentatorit më të madh të Luftës së Dytë Botërore i tregojnë për “Panoramën” disa prej bashkëkohësve të tij.
Si e kapi rob kolonelin gjerman
Në fillim të shtatorit të vitit 1943 Myslym Keta transferohet nga njësiti gueril në Tiranë në çetën partizane “Dajti”. Kjo u bë për një arsye të vetme, pasi strukturat ushtarake italiane kishin foton e tij dhe e dinin që shumë prej atentateve të kryera në mbanin firmën e “Tatës”. Duke parë rrezikun që i kanosej, drejtuesit e Qarkorit të Tiranës morën vendimin që Myslymi, edhe pse i domosdoshëm në kryeqytet, të largohej për disa kohë. Por edhe në çetën partizane ai nuk mund ta harronte “profesionin” e tij, atentatet. Në 8 shtator të vitit 1943 forcat italiane kishin kapitulluar dhe vendin e tyre e zunë gjermanët. Në drejtimin e Myslym Ketës, u ndërmor një aksion në fshatin Skuterrë të Tiranës, ku ndodheshin depot e armatimit të gjermanëve. Sulmet ishin të befasishme dhe, nazistët, edhe pse të sprovuar në luftë, u gjetën të papërgatitur përballë aksionit të mirorganizuar. Lanë shumë të vrarë dhe një pjesë e tyre ranë robër. Në mes të gjermanëve ai kap rob edhe një kolonel me 14 ushtarë. Po kështu, në depot e armatimit u mor e gjithë sasia e armëve që ndodhej në to. Por Myslym Keta kreu aksione të gjithanshme. Duke njohur qetësinë e lindur, atij iu ngarkua që të ndërmerrte një aksion për grabitjen e miellit që ndodhej në afërsi të “Pazarit të Ri”. Sipas shokëve, ai vetë futet i pari dhe nën kërcënimin e armëve që i mabante gjithmonë me vete e detyroi pronarin italian që të hapte depot e miellit. Pasi u ngarkuan kamionët ai siguroi edhe rrugën duke u bërë pritë forcave ushtarake italiane. Edhe në këtë rast Keta e tregoi veten se nuk ishte vetëm një atentator që vriste për idealet kombëtare, por ishte dhe një njeri i aftë për të kryer të gjitha llojet e aksioneve.
Lufta e Arbanës
Për luftën e zhvilluar në Arbanë të Tiranës, përveç kujtimeve të bashkëkohësve të tij, interes paraqesin edhe ato të kapitenit gjerman Herman Frank, që bëjnë fjalë për atë betejë. “Një djalosh na ka habitur për trimërinë që tregoi. Kishte një mitraloz të rëndë në duar dhe na u afrua aq shumë, sa u çuditëm. Disa prej ushtarëve tanë mbetën të vrarë. Më pas ai u tërhoq në një mënyrë po aq të habitshme sa ç’na qe afruar dhe na sulmoi përsëri duke na detyruar që të tërhiqeshin nga pozicionet që kishim. Asnjë prej plumbave tanë nuk e zuri atë”, shprehet në kujtimet e tij kapiteni gjerman. Po në lidhje me këto luftime shprehen edhe bashkëkohësit e tij, të cilët tregojnë se sapo nisi beteja, Myslymi shkëputet nga pozicioni dhe me mitraloz në dorë futet në brendësi të vijave gjermane. Të gjithë menduan se djaloshi nuk do të kthehej, më pasi mund të merrte plumba vdekjeprurës, por ai pasi kryen aksionin kthehet sërish në pozicionet partizane. Sulmet e tij të herëpashershme dhe të atyre që e ndoqën pas i detyruan gjermanët që t’i tërhiqnin forcat duke lënë me dhjetëra të vrarë që mbanin autorësinë e Ketës. Nuk i bënte përshtypje asnjë lloj rreziku. Madje, tregohej akoma më i vendosur nëse i thoshin se të kishte kujdes, pasi aksionet duhet të organizoheshin në mënyrë perfekte.
Sulmi në Teqenë e Sukës
Duke njohur aftësitë e Ketës, komanda e Brigadës së Tretë Sulmuese, ku Keta bënte pjesë, e dërgoi në Sukë të Përmetit. Atje ishte vendosur një numër i madh gjermanësh. Një togë me ushtarë gjermanë ishte futur në këtë fshat dhe pasi kishte bërë raprezaljet e zakonshme, kishte nxjerrë para skuadrës së pushkatimit 10 fshatarë. Pikërisht në çastin kur pritej vetëm urdhri i eprorëve nazistë për t’i zbrazur armët mbi fshatarët e pafajshëm, Myslym Keta, me një grup të vogël shokësh, qëllon me breshëri automatiku dhe me granata në drejtim të nazistëve. Shumë prej tyre mbetën të vrarë. Më pas liroi 10 fshtarët që shpëtuan pa asnjë pasojë. Edhe pse e falënderuan, ai përsëri u kërkoi atyre që të mos ia thoshin një gjë të tillë, duke u shprehur: “Nuk bëra ndonjë gjë të madhe, thjesht detyrën që më takon”.
Tmerri në Tiranë dhe Kosovë
Ai u lind dhe u rrit në Tiranë. Shumë prej bashkëqytetarëve të tij e njihnin si njeriun që nuk e merrte në sy rrezikun. Shumë atentate mbajnë firmën e tij. Por, megjithatë, Keta, sipas dokumenteve, nuk ndërmori asnjë aksion pa vendimet e njësitit gueril, apo të strukturave të tjera drejtuese të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishte vetëm 14 vjeç kur mori pjesë në demostratat antiitaliane. ndërsa në vitet 1941 – ’42, edhe pse në një moshë fare të re, ai u shqua për trimëri. Vojo Kushi, kreu i njësitit gueril në Tiranë, e vlerësoi dhe gjithmonë e mbajti pranë vetes. Në momente të caktuara, kur duhej të eliminoheshin oficerë madhorë të armikut, njësiti gueril do të kishte nevojë për shërbimet e Ketës. Edhe pse ishte i ndërgjegjshëm për aftësitë e veta, Keta e kishte marrë parasysh se mund të binte në duart e armikut pabesisht. Por synimi që i kishte vënë vetes ishte që të mos tregonte asnjë nga shokët e tij. Nazifashistët e kishin konsideruar si person me rrezikshmëri të theksuar dhe kishin urdhëruar që tq qëllohej pa asnjë paralajmërim. Por, në të vërtetë, ai nuk ua dha këtë kënaqësi. Pasi kishte kryer disa atentate të shkëlqyera në Tiranë, ai u bë pjesë e çetës partizane “Dajti”, që vepronte si në rrethinat e Tiranës, ashtu edhe brenda në kryeqytet. Por shumë shpejt mungesa e Ketës në njësitin gueril do të ishte e ndjeshme. Prandaj ai u detyrua të shkëputet nga mali dhe t’u rikthehej përsëri pritave të befasishme. Kur dita e çlirimit po trokiste Keta u rreshtua në Brigadën e Tretë Sulmuese; edhe këtu e tregoi veten se mund të shërbente mjaft mirë. Më pas ai shkoi në Kosovë, ku sipas bashkëkohësve u shqua për trimëri. Emri i Ketës u rendit ndër personazhet më të njohura të Luftës së Dytë Botërore, sidomos për atentatet e shumta…
Kush ishte Myslym Keta
Myslym Keta, kolonel që në moshën 22-vjeçare
Myslym Hysen Keta u lind në Tiranë, më 11 tetor 1925, në një familje të dëgjuar patriote e arsimdashëse. Të parët e fisit Keta në Tiranë, kanë qenë intelektualë të shquar që kishin studiuar e punuar në vendet e Evropës Perëndimore (Austri), dhe më pas sollën në Shqipëri, idetë përparimtare të asaj kohe. Babai i Myslymit, Hysen Keta, ka qenë mësues që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar çështjes së edukimit dhe arsimimit të brezave të tërë në zonën e Shqiperisë së Mesme e të Malësisë së Matit. Lymi, fillimisht ka ndjekur Shkollën e Teknike (sot Harri Fulc), dhe më pas Gjimnazin e Tiranës. Myslym Keta e filloi luftën që në moshë të njomë, kur sapo kish mbushur 14 vjeç, atëherë kur mbi Shqipëri u varën retë e zeza të fashizmit, në prill të vitit 1939, pikërisht në demonstratat kundër pushtuesit. Në ato ditë të zjarrta ai mori dhe pagëzimin e parë si antifashist. Por veprimtaria e tij si luftëtar i lirisë fillon në fund të vitit 1941. Lymi në këtë kohë njihet me drejtuesit e rezistencës antifashiste të asaj kohe, të cilët e afruan Lymin dhe u angazhuan për edukimin e tij atdhetar, pasi te Lymi ata shihnin një djalosh trim, të guximshëm, besnik, të zgjuar e me ndjenja atdhetare. Në këtë kohë ai bëhet njëri nga anëtarët më aktivë të njësiteve guerile të kryeqytetit dhe kryen njëri pas tjetrit me dhjetëra aksione tepër të guximshme në Tiranë.
Pas çlirimit Keta bëhet kolonel
Pas çlirimit Myslym Keta ka pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Kështu, ai fillimisht emërohet komandant i Gardës Kombëtare dhe i repartit të parë të kavalerisë. Më pas, ai dërgohet në Bashkimin Sovjetik, për studime në Shkollën e Lartë të Këmbësorisë. Ndërsa në vitin 1954 mbaron me rezultate shumë të mira edhe Akademinë më prestigjoze të Bashkimit Sovjetik, atë të Tankeve, në Fakultetin e Inxhinierisë. Pas mbarimit të kësaj akademie, Keta emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë që qëndronte në mbrojtje të kryeqytetit. Për merita të veçanta që gjatë luftës e më pas Myslym Keta gradohet kolonel. Ai është ndër kuadrot e para të ushtrisë shqiptare, që ka dhënë një kontribut të veçantë në themelimin e armës së tankeve. Ai ka shërbyer edhe si komandant i zoti në këtë armë sa të veshtirë, aq edhe të rëndesishme në mbrojtjen e atdheut. Myslym Keta, si oficer madhor, ka një meritë të madhe në modernizimin e ushtrisë shqiptare, sidomos në mekanizimin e trupave tokësore. Ai ka qenë një qitës i shkëlqyer i revolverit, automatikut, i mitrolozit të lehtë e të rëndë, po ashtu edhe kalorës e tankist. Ai mbante titullin e lartë të “Mjeshtrit të klasit të parë” në përdorimin e tankeve. Myslym Keta e mësonte dhe e përvetësonte me kujdes armën. E donte dhe zbatonte të gjitha rregullat e teknikës luftarake, si mjete që i shërbenin mbrojtjes së atdheut. Përveç këtyre karakteristikave, si oficer madhor i ushtrisë sonë dhe komandant trim e i guximshem,, kolonel Myslym Keta, që në çastet e para të njohjes me të, të zgjonte një ndjenjë respekti. Dhe, pikërisht, në këtë sfond mund të shquaje forcën e tij burrërore dhe epike, guximin dhe heroizmin e tij, të cilat rridhnin jo si një shpërthim i çastit, por si pasojë e mpleksjes së natyrës së tij me edukatën e marrë që në djep. Heroizmi, është sakrifikimi i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm i të gjitha interesave dhe i vetë jetës në shërbim të një ideali të shenjtë. Në themel të heroizmit të Lymit, qëndronte dashuria për atdheun dhe dashuria e thellë për njerëzit. E gjithë jeta e kolonel Lym Ketës, ka qenë një pohim i sinqertë dhe plot devocion i këtyre ndjenjave. Shpirti i sakrificës dhe i vetëmohimit ishin natyra e dytë e Lymit. Tregojnë, se gjatë një marshimi luftarako-mësimor, një rimorkio e ngarkuar me predha luftarke, që tërhiqte topin, mori flakë. Kolonel Lymi, në këtë situatë dha urdhër të largoheshin të gjithë ushtarët e oficerët për t’iu shmangur rrezikut. Por atij i erdhi keq për predhat dhe automjetin, duke shfrytëzuar vetëm pak sekonda që kishin mbetur, ai, me një shkathtësi të rrufeshme, shuajti zjarrin dhe mënjanoi shpërthimin. Ashtu si trimëria, ndjenja e lartë e përgjegjësisë në kryerjen e detyrës, dashuria për shokun, sinqeriteti, çiltërsia dhe bujaria edhe thjeshtësia ishte pjesë e natyrës dhe e edukatës së tij. Kolonel Lym Keta urrente mendjemadhësinë, bujën dhe reklamën. “Unë kam bërë detyrën” , ky përkufizim sikur i vë kornizën portretit dhe figurës së tij. Do të duket ndoshta paradoksale, Lymit, këtij ndëshkuesi të pamërshishëm të pushtuesve, të këtij luftëtari të papërmbajtur që futej gjithmonë në zjarrin e betejave partizane, këtij njeriu, i binte të fikët sa herë që shikonte gjak dhe shokë të plagosur. “Ne e largonim Lymin, sa herë që varrosnim shokët e vrarë” – tregojnë bashkëluftëtarët e tij. Lymi tronditej thellë nga dhimbja për shokët e tij. Krahas ashpërsisë së papërmbajtur ndaj pushtuesve, kjo dashuri e thellë për shokët e zbulon shumë mirë dimensionin thjesht human të heroit tonë.

Historia e atentatorit Myslym Keta/ Djaloshi 16-vjeçar kërkonte shoqëri me personazhet e luftës

Adoleshenti grabiti çiften për t’i hyrë në zemër “Babë Myslymit” Myslym Pezën

Italianët nuk ia falën kurrë vetes lirimin e Myslym Ketës. E kishin në dorë në vitin 1941, por e liruan duke e konsideruar si një “çunak” që nuk të prishte punë. Por në të vertetë doli e kundërta.
Emri i Ketës dy vjet më vonë kaloi kuesturë më kuesturë dhe më pas edhe në strukturat e ushtrisë gjermane. Sipas njërit prej bashkëkohësve të tij, gjeneral Adnand Qatipi, më 28 tetor të vitit 1941 u organizua një protestë antifashiste në Tiranë. Në të ishte i pranishëm edhe Myslym Keta, i cili kishte lënë bankat e shkollës për t’u bashkuar në lëvizjen kundër pushtuesve italianë. Por ushtarët që erdhën përtej Adriatikut bënë disa arrestime, në njërin prej të cilëve ishte edhe Myslym Keta. Djaloshi nga Tirana nuk qëndroi shumë në burg, pasi e liruan duke menduar se nuk mund të sillte asnjë pasojë për fashistët. Menjëherë pasi la qelitë, Keta ose, siç i thërritën më vonë “Tata”, u takua me Beqir Ballukun dhe u përfshi në Qarkorin e Njesitit Gueril të Tiranës. Më vonë ai u bë edhe një mik i ngushtë i Gogo Nushit. Në këtë mënyrë një djalë fare i ri, që rridhte nga një familje e vjetër tiranase, zuri vend në struktura të rëndësishme të Partisë Komuniste. Në vitin 1942 Keta u pranua në Grupin Edukativ të Partisë Komuniste. Për një kohë të shkurtër ai dhe disa shokë të tjerë që vepronin në Tiranë, shënuan disa aksione të rëndësishme dhe atentatet e tyre lanë pasoja të rënda për italianët. Tashmë dhe njëri prej njësiteve guerile që drejtohej prej tij ishte skeduar në dokumentat e strukturave hetuese të pushtuesve italianë. Në këtë mënyrë, pa dëshirën e tij, Myslym Keta me gjashtë shokë u caktua që të organizonte luftën në fshatrat e Tiranës. Për të do të ishte shumë e vështirë kjo periudhë, pasi u shkëput nga kryeqyteti dhe nuk do t´i jepej më mundësia që të organizonte atentate. Megjithatë, edhe në këtë detyrë të re që ia caktuan, Keta me grupin e tij arriti të formonte një çetë që mori emrin “Çeta e Dajtit”.
Keta i bën dhuratë Myslym Pezës çiften e një italiani
Nuk i kishte kaluar të 17 vjetët, por Myslym Ketës i pëlqenin njerëzit që shquheshin për trimëri. Kishte dëgjuar që Myslym Peza ishte një nga trimat më të mëdhenj e që vepronte jo vetëm në zonën e Pezës, por edhe më gjerë. Në këtë mënyrë, për të fituar “zemrën” e “Babë Myslymit”, Keta futet në Kuesturën italiane dhe grabit armën e rojes së këtij institucioni, më pas ia bën dhuratë Myslym Pezës, në shenjë mirënjohjeje për bëmat e tij. Nga të dhënat, Myslym Peza e ka mbajtur çiften edhe disa vite pas çlirimit të vendit, duke e konsideruar si një dhuratë të vyer si dhe në shenjë mirënjohjeje për djaloshin trim dhe të thjeshtë. Por adoleshenti hyri në zemrën e gjithkujt jo vetëm nga ky gjest, por mbi të gjitha nga atentatet personale të tij. Në këtë mënyrë Myslym Peza e vlerësoi Ketën atëherë kur u informua mjaft mirë për veprimtarinë antifashiste.
Arratisja nga burgu 302 me ndihmën e Ketës dhe Qatipit
Mbeti në histori si një nga momentet më të habitshme arratisja e 26 komunistëve të njohur, ndërmjet të cilëve ishte edhe Ali Demi. Italianët mundën të arrestonin jo pak por 26 komunistë, ndër më aktivët në kryeqytet. E ndërsa prisnin të dilnin para gjyqit, ndoshta edhe para skuadrës së pushkatimit, u organizua edhe arratisja e tyre. Data 29 prill e vitit 1943. Burgu 302 ruhej me shumë gardianë, të armatosur mirë. Sulmi i drejtpërdrejtë ishte i kotë dhe mund të kishte mjaft pasoja. Disa të burgosur hapën në fshehtësi një tunel të nëndheshëm brenda qelive të burgur për të siguruar arratisjen. Informatat ishin të sakta. 14 metra tunel i nëndheshëm të çonte jashtë mureve të burgut, por problemi mbetej ende i pazgjidhur. Vendi ishte i ndriçuar dhe në momentin që do të dilnin do të binin në sy të italianëve. Në këtë mënyrë u caktuan Myslym Keta dhe Adnand Qatipi të prisnin telat e dritave në afërsi të centralit, që ndodhej vetëm pak metra larg burgut. Dy djemtë e rinj morën përsipër detyrën e vështirë. Në një aksion të realizuar në mënyrë të përkryer, dritat u ndërprenë pikërisht në momentin që 26 të dënuarit po arratiseshin nëpërmjet tunelit të nëndheshëm. Shkëputja e energjisë solli çoroditje të madhe tek ushtarakët italianë. Pas stabilizimit të gjendjes ishte tepër vonë. Kështu 26 të burgosurit u arratisën. Ky operacion u konsiderua si mjaft i sukseshmë. Një pjesë e mirë e meritës u takonte dy djelmoshave të rinj, të cilët me veprimet që kryen siguruan çelësin e suksesit. Megjithatë nuk ishte e thënë që Keta të mbyllte aktivitetin e tij vetëm me këto veprime. Shumë atentate të ndodhura në kryeqytet mbajtën firmën e tij dhe të njesitit që drejtonte…

Myslym Keta, djaloshi që mashtroi nazistët

Që 18 vjeç merr peng kolonelin gjerman

Gjermanët pas sulmeve që u bënë forcat partizane ishin të vendosur akoma më shumë që të kryenin luftime të ashpra. Por në të njëjtën kohë partizanët qenë më të organizuar dhe numri i atyre që rrëmbyen armët ishte në rritje. Në fundin e vitit ’43 organizimi i tyre kishte marrë një tjetër formë.
Ushtria Nacionalçlirimtare në rethët drejtuese të saj kishte vendosur persona të përgatitur dhe të sprovuar në luftë. Njëri prej tyre ishte edhe Myslym Keta. Duke marrë parasysh aksionet që kishte organizuar ai dhe shokët e tij, Shtabi i Përgjithshmë, vendosi që Keta të drejtonte një prej batalioneve të Brigadës së Tretë Sulmuese. Por për të nuk kishte rëndësi detyra. Primare ishte lufta në terren. “Ai nuk u thoshte partizanëve kurrë “para!”, por “pas meje!”, shprehet një nga shokët e tij të fëmijërisë dhe të luftës, gjeneral Adnand Qatipi. Cilat ishin disa nga betejat, ku Keta tregoi trimëri të veçantë. Përse u doli përpara gjermanëve dhe si i mashtroi duke i futur në kurth. Si shpëtoi nga rrethimi i tre kolonave gjermane në Mesjetà. Si mundi ai të futej deri në pozicionet gjermane. Përse mbante gjithmonë me vete tri armë. Cilat ishin bëmat e tij në betejën e Arbanës dhe si mundi ai të çante rrethimin, kur në fushëbetejë mbetën të plagosur Mustafa Gjinishi dhe Adnand Qatipi. Të gjitha detajet e disa prej operacioneve më të sukseshme i tregojnë për gazetën “Panorama” disa nga bashkëkohësit e tij.
Keta mposht sulmin gjerman në tre drejtime
Data 2 shtator 1943. Myslym Keta dhe 12 shokët e tij kishin dalë në Mesjeta, (fshat afër Kërrabës) dhe ngritën pritë për të sulmuar çdo kolonë italiane që ishte në tërheqje. Por ndodhi ajo që nuk e kishin përfytyruar. Në vend që të ndalonin kolonat e shpartalluara italiane, ata hasën në disa ushtarë të tjerë. Ishin pikërisht gjermanët që erdhën nga Elbasani dhe që kishin pak ditë që shkelën tokën shqiptare. Një nga kolegët e tij, i cili po vrojtonte, u thotë se shikonte nga larg disa kamionë që nuk i kishte parë ndonjëherë. U dha urdhri të zinin pritat. Pikërisht në momentin kur kolona afrohet Myslym Keta së bashku me shokët e tij u del në rrugë dhe i ndalon. Asnjë nga gjermanët nuk reagoi, pasi nuk dinin se me kë kishin të bënin. Në ato momente e vetmja fjalë që thanë nazistët ishte “Nacionalist?”. Me dinakëri Keta tund kokën duke aprovuar. Me pas hipën në autoveturën gjermane, gjoja për t´u treguar rrugën për në Tiranë dhe Keta i fut makinat në fshatin Skuterrë. Ndërsa një kamion tjetër me ushtarë, i fundit në rradhë e nuhati kurthin dhe u kthye për në Elbasan. Sapo mbërritën në fshat, nën kërcënimin e armëve, të gjithë gjermanët u çarmatosën dhe më pas u mbyllën në një shtëpi. Por tashmë ishte e sigurtë 13 partizatë me në krye Myslym Ketën do të prisnin reagimin e gjermanëve që do të vinin nga Elbasani për të shpëtuar pengjet. Keta dha urdhër që të largoheshin të gjithë fshtarët në mal. Ndërsa më pas gjermanët e zënë robër i dërguan në fshatin Rrezevere. Më datë 3 shtator informohen se një autokolonë me shumë ushtarë gjermanë kishte ndaluar në rrugën kryesore dhe po vrojtonte në drejtim të fshatit Skëterrë. Pikërisht në ato momente të 13 partizanët nën drejtimin e Ketës zenë pozicionet kyçe. Ata u ndanë në tre grupe. Myslym Keta së bashku me tre të tjerë qëndroi në rrugën kryesore. Ndërsa dy grupet e tjera në të dy anët. Ashtu sikurse ishte e parashikuar gjermanët qëllojnë me artileri të rëndë në fshat. Më pas edhe ata ndahen në tri kolona për të shkuar deri në brendësi të fshatit ku pandehnin se ishin ushtarët robër së bashku me një kapiten. Por në ato momente Keta qëllon në drejtim të gjermanëve me mitroloz dhe granata. Luftimet ashpërsohen pikërisht në momentin kur dy kolonat gjermane që ishin në operacion për krahëmarrje rrethojnë Myslym Ketën. Sipas dëshmitarëve, Keta arrin të përleshet edhe trup me trup. Pas tri ditë luftimesh partizanëve u erdhën në ndihmë përforcime të tjera. Në këtë mënyrë gjermanët u tërhoqën. pas bilancit rezultoi se ishin vrarë 60 gjermanë dhe pjesa më e madhe e kufomave ndodhej në territorin që ishte mbrojtur nga Myslym Keta. Pas kësaj beteje të madhe, e vetmja pasojë e së cilës për shqiptarët ishte djegia e shtëpive të fshatit dhe plagosja e një partizani, u shtua urrejtja ndaj gjermanëve. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtari nxorri një komunikatë, ku bëhej bilanci i këtyre luftimeve dhe afishoi si një ndër luftëtarët më të famshëm Myslym Ketën. Por përsëri ai nuk u mjaftua me kaq.
Keta ndihmon shokët e plagosur
Lufta ishte ndezur. Data shënonte 9 tetor 1943. Në Arbanë të Tiranës një grup partizanësh të Brigadës së Tretë Sulmuese gjenden në befasi. Por menjëherë marrin situatën në dorë. Sulmit gjerman i përgjigjen me bombardime me artilerinë që kishin me vete. Më pas lufta ndizet dhe mbesin të plagosur Mustafa Gjinishi dhe Adnand Qatipi. Pikërisht në ato momente Myslym Keta del nga pozicioni dhe me një mitroloz të rëndë në dorë, prodhim italian i tipit “Breta”, hidhet në kundërsulm. Pasi shpartallon njërin pozicion ai kalon në drejtimin tjetër. Kjo u bëri përshtypje edhe gjermanëve, të cilët edhe pse tentuan me të gjithë llojet e armatimit që ta qëllonin, asnjë plumb apo predhë nuk kapi trupin e Ketës. Nga dokumentat dhe kujtimet e ushtarakëve gjermanë thuhet se mezi pritën natën që të tërhiqeshin duke lënë në fushën e betejës shumë të vrarë. Kështu ata përshkruan se ndër arsyet kryesore që i bënë të tërhiqeshin ishin sulmet e herëpashershme që vinin nga një person, i cili dilte sa në një pozicion në një tjetër.
Përse e mori pseudonimin “drapëri”
Shumkush e njihte me emrin “Tata” dhe ky nuk ishte epitet që e mori në luftë, por buronte, si të thuash, nga vetë karakteri i tij. Ishte në një moshë fare të re, por i riu nga Tirana shquhej për qetësi, thjeshtësi absolute dhe një karakter të fortë. Pikërisht për këto cilësi ai filloi të thirrej nga pjesëa më e madhe e personave “Tata”. Sikurse tregojnë bashkëkohësit e tij Keta shkëlqente në çdo aksion. Drejtuesit e njësitit gueril në Tiranë i dhanë epitetin e luftës “drapëri”. Dhe këtë emër të dytë nuk ia vendosën pa qëllim. Myslym Keta kishte shumë aftësi në përdorimin e të gjithë llojeve të armëve të lehta dhe mbi të gjitha kishte një shënjestër të mirë. Por arma të cilën e përdori më shumë në luftë ishte pikërisht mitrolozi “beta” që ua kishte marrë ushtarëve italianë. Sa herë që kryheshin aksione ai qëllonte aq shumë dhe me precizion saqë dukej sikur korrte. Këtej e kishte “burimin” dhe epiteti që i vunë ishte “drapri”. Por ai kurrë nuk mburrej edhe pse mund të konsiderohet si një nga atentatorët më të mëdhenjë të Luftës së Dytë Botërore. Shokët e tij tregojnë që Keta mbante gjithmonë me vete tri armë: një mitraloz të rëndë, një automatik dhe një pistoletë. Ishte i bindur se në çdo sulm që do të ndërmerrte do t’i nevojiteshën të gjitha armët. Në fillim të vitit 1944 Myslym Keta bëhet komandant i një batalioni të Brigadës së Tretë Sulmuese. Me vendim të Shtabit të Përgjithshmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, disa prej batalioneve të kësaj brigade do të merrnin pjesë në luftën për çlirmin e Tropojës. Më 16 Tetor të vitit 1944 Tropoja u çlirua dhe në këtë rreth nuk mbeti asnjë gjerman. Edhe në këto luftime vetë Keta dhe batalioni që ai drejtonte u shqua për heroizëm, çka bëri që pas disa luftimeve të ashpra gjermanët të pësonin humbje të mëdha. Por duke qenë në afërsi të Kosovës vjen urdhri nga Shtabi i Përgjithshmë që Keta të ndjekë forcat gjermane brenda këtij territori. Në një fshat të Junikut zhvillohen luftime të ashpra. Në to përveç forcave gjermane marrin pjesë edhe këtyre banorë të zonës. Pas disa orë luftimesh komandantit Keta i vriten tetë partizanë. Në këtë mënyrë ai u vu në vështirësi përballë sulmeve të gjermanëve. Më pas, në ndihmë të batalionit që drejtohej nga 19-vjeçari, vijnë edhe dy batalione të tjera, po të Brigadës së Tretë Sulmuese. Gjermanët shpartallohen totalisht dhe detyrohen që të tërhiqen më në brendësi të Kosovës. Pas dorëzimit, Myslym Keta dha urdhër që asnjë prej tyre të mos çarmatosej. “Ju jeni shqiptarë dhe ne nuk do t’ua marrim armët, përdorini ato kundër çdo armiku që shkel tokën tuaj dhe tonën bashkë”, tha Keta. Më pas të gjithë kosovarët u kthyen në shtëpitë e tyre së bashku me armët. Sipas të dhënave dhe dokumenteve të kohës, në atë zonë në asnjë betejë të mëvonshme sado të vogël nuk morën pjesë në rradhët e armikut forca shqiptare.

Koloneli Myslym Keta u aksidentua rëndë në Fushë – Arrës, dhe para vdekjes le amanetin e fundit
“Mos dënoni shoferin, nuk ka faj”
Beqir Balluku urdhëron arrestimin e “ushtarit” të Ketës
Myslym Keta tashmë ishte kthyer në një legjendë. Shumë prej qytetarëve të Tiranës e njihnin për bëmat e tij si një ndrë atentatorët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore.
Shumë ushtarakë, madje edhe ushtarë të thjeshtë kishin respekt për njeriun që kurrë nuk mburrej për bëmat e tij. Në ushtri, kudo ku punoi, ai u soll mirë me të gjithë. Edhe pse mbi supe mbante gradën e kolonelit fliste me ushtarët dhe i respektonte ata. Bashkëkohës e shokë të tij tregojnë se Keta kishte një humor të hollë dhe tregohej i thjeshtë me të gjithë. Por jeta e ushtarakut dhe legjendës Keta përfundoi në mënyrë tragjike.
Atentatori që humbi jetën aksidentalisht
Pas Çlirimit Myslym Keta u emërua komandant i Gardës Kombëtare dhe i Repartit të Parë të Kavalerisë. Karakteristikat e tij tregonin për një ushtarak të lindur. Strukturat drejtuese të Ushtrisë vendosën që ta nisin për studime në Bashkimin Sovjetik. Pas tre vjet studimesh ai kthehet në Tiranë dhe emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë. Ndërkohë është edhe një nga kuadrot e parë të Ushtrisë shqiptare që kontrobuan në themelimin e brigadës së Tankeve. Në këtë sektor ai mbante titullin e lartë të “Mjeshtrit të klasit të parë” në përdorimin e tankeve. Por jeta e tij do të merrte fund pikërisht kur ishte në pikun e karrierës së tij ushtarake. Myslym Keta niset për në Fushë-Arrës për asye pune së bashku me shoferin e tij ushtarin Petrit Topi. Pasi mbaron punë, gjatë kthimit për në Tiranë, maqina përplaset me një pjesë shkëmbi anës rrugës. Një copë metalike e makinës i ngulet në kokë. Ndërsa shoferi i tij pëson tronditje nga përplasja. Siç ishte i plagosur rëndë urdhëron ushtarin që të marrë armën e tij dhe të qëllojë në ajër për të lajmëruar për aksidentin, por ai nuk i kthen përgjigje pasi ishte i traumatizuar. Del vetë nga makina dhe qëllon në ajër për të dhënë alarmin. Por ndihma do t’i vinte pas 15 minutash nga një makinë e rastit. Edhe pse i plagosur rëndë ai u mbajt pa e humbur kujtesën deri sa mbërriti në Spitalin e Fushë-Arrëzit. Madje, sipas dëshmisë së shoferit që e transportoi ai mblodhi forcat dhe u ngjit vetë në makinë, edhe pse një pjesë të kokës e kishte të dëmtuar rëndë. Me shpejtësi koloneli u dërgua në Spitalin e Fushë-Arrëzit. Sapo mbërrin në urgjencë të vetmet fjalë të fundit që nxjerr nga goja në formë amaneti ishin “mos dënoni ushtarin tim, pasi nuk ka faj për aksidentin”. Lajmi i rëndë mbërriti shpejt në Tiranë. “Alo! Kolonel Myslym Keta është aksidentuar rëndë së bashku me ushtarin Petrit Topi”, ishte ky komunikimi i parë. Më pas ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, urdhëroi të dërgohet një helikopter me disa mjekë për t’i transportuar të plagosurit në Tiranë. Por Keta dha shpirt para duarve të mjekëve të Spitalit të Fushë-Arrëzit. “Alo! Myslymi vdiq”. Kjo ishte telefonata e dytë që u bë në Ministrinë e Mbrojtjes. Duke e konsideruar humbjen si tepër të rëndë, ministri urdhëroi që të gjithë ushtarakët që ndodheshin në dikaster të mos lëviznin nga zyrat pasi kjo çështje duhej studiuar mirë.
Ballku: Dënoni ushtarin, përgjegjësin e aksidentit
Beqir Balluku urdhëroi që, pas marrjes së ndihmës mjekësore ushtarit Petrit Topi t’i hidheshin prangat dhe të dënohej. Pikërisht kështu ndodhi. Një grup punonjësish të policisë e arrestuan dhe e dërguan në qeli. Ai u mor në pyetje. Për shkak të plagëve dhe të tronditjes psikologjike ishte evaziv në deklarimet e tij. I vetmi që mund ta shpëtonte nga dënimi ishte Myslym Keta, por ky tashmë kishte mbyllur sytë përgjithmonë. Megjithatë ishte pikërisht amaneti i kolonelit që e shpëtoi ndoshta nga një dënimin shumë i rëndë ushtarin e tij. Amaneti i Ketës duhej të çohej në fund. Mjeku dhe një person tjetër që e pritën Ketën të plagosur dëshmuan se koloneli u kishte treguar se ushtari i tij nuk ishte fajtor. Pas shumë ndërhyrjesh të miqve dhe të shokëve të Ketës ushtari nga Durrësi u la i lirë, pasi nga ekspertiza rezultoi se, në momentet kur ndodhi aksidenti, në timomin e makinësë ishte Myslym Keta.
Ekspertiza: Probleme teknike
Humbja e ushtarakut Keta ishte shumë e rëndë. Strukturat drejtuese të asaj kohe urdhërua që të bëheshin të gjitha veprimet për të nxjerrë shkaqet e vërteta të asidentit. U desh disa ditë që të dilnin rezultatet e ekspertizës dhe në fund ajo doli ashtu sikurse pritej. Kolonel Myslym Keta ishte përplasur me shkëmbin, pasi automjeti kishte pasur probleme. Nga analiza e ngjarjes rezultoi se nuk mund të aludohej për ndonjë kurth të ngritur ndaj Ketës, pasi këto lloj aksidentesh ishin të paevitueshme. Mirëpo deri në përfundim të hetimeve ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku qëndroi gjithmonë në ndjekje të të gjitha veprimeve. Vetëm atëherë kur u siguruan se problemet ishin mekanike dhe se në timonin e makinës në momentin e përplasjes ndodhej Myslym Keta vendosën ta lironin nga burgu edhe ushtarin Petrit Topi.
Ceremonia mortore
Mijëra qytetarë në varrimin e Ketës
Myslym Keta në qytetin e Tiranës njihej nga pjesa më e madhe e banorëve. Shumë e njihnin si një atentator, shumë të tjerë si një njeri të qetë dhe shumë popullor, ndërsa jo pak si ushtarak. Pjesa më e madhe e qytetarëve e respektonin jo vetëm për gradat madhore që mbante mbi supe, por mbi të gjitha si njeri. Pas vdekjes aksidentale në shkurt të vitit 1966 me mijëra qytetarë të kryeqytetit shkuan për t‘i dhënë lamtumirën Myslym Ketës. Strukturat e ministrisë së Mbrojtjes organizuan një ceremni madhështore, për më tepër që Keta ishte shpallur dy vjet pas Çlirimit “Hero i Popullit”. Megjithatë trupi i tij u vendos në varrezat publike të kryeqytetit. Një pjesë e mirë e qytetarëve ndoqën rrugën deri në Shish Tufinë më këmbë për t‘i dhënë lamtumirën e fundit Myslym Ketës, njeriut që për virtytet e tij të larta, ata e kishin nderuar me epitetin “Tata”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *