Në kujtim të heroinës Nimete Progonati

Heroina e Popullit – Nimete Progonati

Nimete Isuf Progonati lindi më 26 korrik 1929 dhe ra në fushën e betejës në Sinjë të Dibrës më 26 korrik 1944.
Jetoi në dimrin e varfërisë, siç shkruhet në buletinin Nr.1, dhjetor 1975 të Muzeut Historik të Tepelenës. Babai i saj, Isufi, ka qenë punëtor në rruga-ura, emigrant në Greqi dhe mbi 7 vjet në Francë. Ai ka marrë pjesë me armë në dorë në luftimet e zhvilluara në Delvinë, Konispol, Igumenicë, Bezhan dhe për mbrojtjen e Janinës, në luftimet kundër pushtuesve andartë grekë më 1913 – 1914, në Luftën e Vlorës 1920, Kalanë e Tepelenës 1920, si Fanolist në Shkallën e Tujanit dhe te Ura e Brarit në Tiranë, në Kryengritjen e Fierit 1935. Gjatë LANÇ ka qenë një nga të 95 anëtarët e çetës territoriale ku ka luftuar për çlirimin e Tepelenës (10-15 shtator 1943) te Shkalla e Zezë (28 shtator – 1 tetor 1943) etj. Vdiq nga plagët e luftrave më 14 maj 1944.
Nimete Progonati si shumë të tjerë, u ushqye me musht heroizmi nëpër faqet historike të vendlindjes. Fshati Luzat ishte djegur 2-3 herë nga pushtuesit. Luzati ishte bazë e LANÇ. Asnjë nga fshati nuk u lidh me pushtuesit. Nga Luzati kishin dalë partizanë mbi 60 djem. Në këtë fshat u krijua këshilli nacionalçlirimtar, organizata e gruas, organizata e rinisë “Debatiku”. Nimetja frymëzohej edhe nga fjalët e mësuesve Remzi Kalo, Seit Malëshova, Seit Demiraj, Sadije Sulejmani, Vasil Dalani, në shkollën fillore të fshatit dhe në plotoren e qytetit të Tepelenës nga mësuesi Murat Koçiaj.
Një ditë afër fshatit kaluan disa partizanë që komandoheshin nga djali hormovit Et’hem Gjinushi. Nimetja i drejtohej nënës me fjalët:

  • Nënoçka ime, do dal partizane! Po më presin shokët dhe shoqet!
    Dhe nëna e saj, Fatimeja, i jep porositë e duhura. Nimetja largohet si flutur duke thënë:
  • Mirë u pafshim moj nënoçka ime, mirë u pafshim në Shqipërinë e lirë!
    Ishte 8 prill 1943. Bashkë me shoqet Tefta Shehu, Dylbi Kopaçi dhe Qibro Gjyli u nisën partizane. Në Përmet, në luftimet e zhvilluara në Biovizhdë e Çarshovë, Nimetja tregoi trimëri dhe guxim të madh, edhe pse nuk ishte në moshë për luftë. Më 11 maj 1944, për trimëritë e saj, komandanti i Brigadës V Sulmuese, Shefqet Peçi, Hero i Popullit, e quajti “Zhan d’Arka shqiptare!” Komisari Hysni Kapo i dhuroi një automatik dhe dy granata dore, kurse komandanti i Brigadës I Sulmuese, Mehmet Shehu, e thirri, e ngriti me të dyja duart lartë dhe iu drejtua partizanëve të rreshtuar: “Me trimëresha si Nimete Progonati, Shqipërinë do ta çlirojmë me çdo kusht!. Nimete Progonati është shqiponjë e maleve të trimërisë shqiptare. Nimetja mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi Brigada V Sulmuese, duke filluar që nga Përmeti. Nëpër shtëpitë e fshatarëve Nimetja agjitonte.
    Në kohën e pushtimit, pas betejave, Nimetja u mësonte partizanëve shkrim e këndim, të cilët e quanin “Mësuesja e A,B,C-së”.
    Në Përmet ka lozur rolin e Margarita Tutulanit të pjesës teatrale “Margarita dhe Kristaq Tutulani” të Aleks Çaçit, vënë në skenën partizane nga Kristo Papajani.
    Në çdo betejë Nimetja tregonte trimëri të rrallë. Kështu edhe më 26 korrik 1944. Beteja e Sinjës në Dibër. Komandanti i Brigadës V Sulmuese, Shefqet Peçi, urdhëron komandantin e batalionit, Dane Mehmetin, që të kthente Nimeten nga balli i luftimeve, por Nimetja paraqitet te komandant Shefqet Peçi, duke i thënë burrërisht:
  • Shoku komandant, unë kam ardhur vullnetare partizane që të luftoj kundër armiqve që na kanë zaptuar vendin dhe jo të bëj sehir sesi luftojnë të tjerët!”
    Dhe ishte sulur si shqiponjë në ballë të betejës, por një plumb e goditi. Pranë iu ndodhën Xhemal Murataj, Levend Lila, Et’hem Kambo, të cilëve u pati thënë:
  • Merrni automatikun tim, u duhet shokëve…!
    Ishte 26 korrik 1944, ora 7 e 30 – 8.00. Nimeten shokët partizanë e mbuluan me flamurin kombëtar dhe ajo dukej si shqiponjë. E varrosën nën breshëri armësh. Shokët mezi mbanin dhimbjen dhe lotët për motërzën partizane trimëreshë. Edhe nëntë malet e Dibrës sikur rënkuan e dukeshin kurorë lavdie për trimëreshën 15 vjeçare.
    Shkroi për Heroinën “Ylli çlirimtar”, organ i Divizionit të Parë Sulmuese, “Buçitja e Brigadës V Sulmuese”. Shkroi Shefqet Musarai, Andrea Varfi, Haki Stërmilli te libri “Në shtigjet e lirisë” më 30 gusht 1944.
    Pas çlirimit, më 9 korrik 1945, Nimete Progonati dekorohet me medaljet e Trimërisë, Kujtimit, Çlirimit dhe më vonë me Dekretin Nr. 5212 .
    Për Nimeten kanë shkruar edhe shumë kuadro të LANÇ, veteranë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, nga të cilët përmendim disa, si Shefqet Peçi, Hysni Kapo, Bilbil Klosi, Ibrahim Dervishi, Andrea Varfi, Agim Shehu, Hysni Milloshi, Leonidha dhe Kristo Mërtiri, Kostandin Leli, Adelina Mamaqi, Qazim Sheme, Izet Çulli, Maliq Lila…Janë bërë radio-dramatizime, dokumentarë televizivë, piktura e buste. Portreti i saj është skalitur edhe në serinë “Yje të pashuar” dhe nëpër gazeta të shumta. Nimete Progonati, kjo heroinë 15 vjeçare, ndodhet edhe në enciklopedinë botërore. Shkolla në Sinjë të Dibrës mban emrin “Nimete Progonati”, në oborr ndodhet busti i saj. Në vendin e rënies lartësohet lapidari. Në Tepelenë ngrihet një bust i bronxtë, ndërtuar nga Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami, përuruar më 11 janar 2001. Shtëpia e Pionierit ka emrin e saj dhe në Memaliaj shkolla 9 vjeçare është nderuar me emrin e ndritur të Nimete Progonatit.
    Heroina 15 vjeçare, Nimete Isuf Progonati, është bijë e pavdekshme e Tepelenës dhe Heroinë e Shqipërisë.

Bujar Sula
Kryetar i degës së OKDA
Naime Progonati

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *