Nga poete Elmije Ajazi
BALTA NË DRITË
Kam lindur në qetësi verbërie
aty ku edhe era mëson të flas
fshehur pëshpërimat shndërrohen në lumenj zëri
dhe ëndrrat varen të lagura mbi tela ndryshku
si rrobe që s’thahen kurrë në stuhitë e heshtjes
Nën shputat e mia dridhet balta argjilë
jam nënë që nuk harron plagët
mbi kokë rëndon një qiell gri pa emër
brenda kraharorit një zjarr zjarrmon
një lutje e murrlët që s’gjen
dot alfabetin e botës
Kam ecur zbathur mbi fjalë të përgjakura
“Nuk mundesh”, “Nuk je mjaft”
gjemba më prenë lëkurën pandalë
çdo pikë gjaku ngjizë rrënjë
shputat e shpirtit u bënë thupra selvie
që s’thyehen as në furtunë
Nuk më rriti veç gjaku
as buka që mungonte
as barku që gurgullonte si tokë e etur
më rriti nata që më la pa gjumë
derisa lotët e padukshëm u shndërruan në yje
çdo yll më gdhendi brenda një rrëfim drite
Teksa bota sodiste gërshetin e heshtur
në brendinë time përsëritej një shtjellë
anija që ngarkon baltë dhe balta kthehet në urë
ajo shkrihet në grua
grua shkund pluhurin e kohës
ngrihet mbi baltë pa u zhytur
dhe kthen dheun në flori
çdo hap i rëndë bëhet krah
e çdo plagë kurorë dritëron
Në udhëtim s`ka baltë që s’mban
brenda farën e luleve
as qiell gri që s’mund të thyhet
prej flakës së vogël
E unë farë, lule, flakë
eci, digjem, lulëzoj
Dhe askush s’më tretë
dot më në heshtjen diellore.
Regensburg, më 12korrik2025