Poezi nga Çlirimtari Genc Sefa
ZEMRA QË GJUANTE ME TOP
(Poezi për dëshmorin Besnik Sali Jasiqi —
17 mars 1981 – 25 qershor 1999)
Në pranverën e zezë, mes flakëve, mes borës,
u ngrit një yll i ri me pushkën në dorë;
Besnik Jasiqi, trim me zemër guximtare,
zgjoi malet me bubullimë e krisma çlirimtare.
Në Jasiq të Deçanit hapi sytë me dritë,
mes lisave që rrëfejnë legjenda çdo ditë;
biri i Salihut, me gjak të lashtë e trimëri,
mori rrugën e u ngjit lart, në male për liri.
Në Dujakë u rrit, hapat e para i mësoj,
në Gjakovë ëndrrën, më pas e vazhdoj;
por zëri i luftës, kallëzues i fatit,
e thirri Besnikun me pushkë t’i ngjitet shpatit.
Më 23 prill ’98, u reshtua pa frikë,
me Bujarin e babën, Heroin e çeliktë.
Në Junik e në Gjocaj, lufta gjithnjë rritej,
makineria e armikut në grykë të pushkës pritej.
Plagë mbajti në sup, por s’u dha për asnjë çast,
as serum, as ilaç, s’e ndalën asnjë rast;
me damarë të ndezur, me krismë në gjak,
u kthye në vijë, të ndizte zjarrin prapë.
Në Papaj e Padesh, stërvitje si shkëmb,
me zell e përkushtim, mësoi topin e rëndë;
tridhjetë e gjashtë predha çelën kufi,
kazermat serbosllave i kthyen në hi.
Brigada “Agim Ramadani” e vuri në krye,
komandant artilerie me zemër stuhie;
çdo predhë që lëshonte përmbyste kufinë,
e ushtria serbe në panik merrte arratinë.
Ish qershori i vonë, në ag me shkreptimë,
njësiti zbriste nga mali, porsi vetëtimë;
Besniku e Bujari, me municion të ngarkuar,
ushqenin zjarrin e betejën që ende s’kish pushuar.
Por fusha e minuar në kthesë e priti,
shpërtheu dheun, qiellin e tronditi;
dy lisa binjakë u kthyen në zjarr,
në agun e lirisë u ngrit në altar.
Në Hereq prehet trimi, në heshtje e qetësi,
mbi pllakat me mermer, plot dritë e ngrohtësi;
Kosova, me lule, e nderon çdo behar,
zemra që gjuante me top, ndriçon si fanar.
Fli, o Besnik, me vëlla e me top pranë,
zëri yt bubullon në çdo krismë për vatan;
sa herë flamuri valon përtej çdo stuhie,
kujtohet Besniku — bekim e rreze lirie.
Lavdi Besnik Jasiqit – zemra që s’pushon së rrahuri për Atdheun!
DëshmorëtJetojnë
BesnikJasiqi
ZemraQëGjuanteMeTop
LavdiDëshmorëve
Autor Genci Sefa-Lushnja.
Ish ushtarak e luftëtar në UÇK, UÇPMB
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
I robëruar në emër të Atdheut fizikisht,
I lirë në shpirt pafundësisht. 🦅🇦🇱