Një anekdotë me vlerë nga e nderuara Ganimete Jakupi
DIKUSH PO PINTE DUHAN TINËZ (Anekdotë)
Në familjen tonë shpesh vinte një burrë i moshuar, mik i gjyshit tim. Ishte njeri i mrekullueshëm dhe me një humor të veçantë. Një ditë, ndërsa po pinim çaj, filloi të tregonte një rast për familjen e tij derisa vajza dhe reja kishin përgatitur pite, dhe ai kishte diçka për të zbuluar…
Një ditë, pasi kishte dalë për të punuar në ara, u kthye në shtëpi dhe ndjeu menjëherë një erë duhani. Ai pyeti me kujdes:
— A ka qenë dikush këtu?
— Jo, babë, askush nuk ka ardhur, — u përgjigjën ato
— Po ju dyja mos pini duhan ndonjëra, se shtëpia qenka mbushur me tym, — tha ai, duke mos e fshehur kureshtjen. Ato filluan të qeshnin dhe u munduan të mohonin gjithçka. Ai i la me kaq, por nuk mund të mos kontrollonte pallton, sepse i kishte numëruar sa cigare kishte para se të dilte dhe mendoi: “A do të mungojë ndonjë?”
Pas drekës, ai u dha komplimente: pitet ishin shumë të mira, madje sot diçka më të veçanta. Vajza, për të marrë lavdin, tha me krenari:
— Unë, babë, i kam përgatitur vetë, prandaj janë bërë më të mira.
Ai ngriti vetullat dhe pyeti:
— Je e sigurt që i ke bërë vetë?
— Po, babë, vetë i kam bërë të gjitha, — tha ajo.
— Bravo, të lumshin duart!…Po këtu ka një tjetër gjë që duhet ta pranosh: pasi pitet i ke bërë, duket se edhe duhanin po e pin… — shtoi ai, duke buzëqeshur.
Vajza u skuq dhe u përpoq ta mohojë:
— Jo, jo, s’është e vërtetë…
Babai qeshi dhe tha:
— E dija! Dikush po pinte duhan tinëz këtu. Kontrollova kutinë e cigareve dhe palltoja ishte me miell, pasi që ti ke përgatitur pitet, aty kanë mbetur duart e tua me miell tek palltoja…
Dhe kështu, nga ajo ditë, misteri u zgjidh: Kush pinte duhan tinëz në shtëpi.
Më 09.11.2025
©️Ganimete Jakupi, Zvicër.

