Populli i Lajthitur-Opinion nga Mr.Florent Selca

POPULL I LAJTHITUR

Po e fajësoj veten së pari, se nuk po kam zotësi të influencoj në ndryshimin e realitetit tonë të trishtë. Jemi ngulfatur me sharje të politikanëve dhe paradoksalisht votimin e tyre.
Ngazëllehemi për hiç gjë, e ulim kokën për shumëçka.
Na solli fat pandemia se u gëzu mileti, ku vet shteti vuri dorën në zemër. Na u miratu ligji, që mundëson rimëkëmbjen, po ku po e shohin rimëkëmbjen në këtë popull të nëpërkëmbur? !!!
Po tingëlloj pesimist, por duhesh me qenë i lajthitur të besosh në të pabesueshmen.
Ngazëllehemi nga një ligj që na mundëson disave t’i marrim disa të holla nga kasaforta jonë publike, e po harrojmë se gjysma e popullsisë së aftë për punë, sot zyrtarisht është e papunë.
Po më duket se punë me bollëk po kanë ndërmarrjet që prodhojnë dhe shtrojnë asfalt.
Maska e turpit dhe pandemia e trurit, janë ulur këmbëkryq në egzistencën tonë.
Populli im duartroket si një tifoz i çmendur ” idhullin” e tij politik.
Është e lehtë të menaxhosh një shoqëri të gjunjëzuar, prandaj shumëkush tek ne, synon të bëhet SHEF.
Po mundohem të gjej një copëz të bukur që ta stolisë sado pak shëmtinë tonë, por e kam të pamundur.
Vetëdijësimi i popullit tim, po më ngjason me atë maskën që e vendosim sapo t’i shikojmë policinë, sepse frikësohemi nga ndëshkimi material, por jo edhe nga ajo që pretendohet të kemi frikë.
Paradoksi vazhdon…
A duhet ndryshim rrënjësor? Dikujt mund t’i duket kjo si frymë anakronike që rrënjët i ka në idetë idealiste.
Ne nuk mund të kemi ndryshim rrënjësor, sepse akoma nuk kemi rrënjë. E gjithë kjo që po ndodhë tek ne, është një farsë, ku amulia e lirisë, na ka përshtjelluar vizionin.
Nuk po mund të besoj se do gjendet dikur një vaksinë, që do na injektohet në gjak për ta mposhtur virusin tonë kolektiv që e ka emrin lajthitje popullore.

F S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *