Në valën e kaltër nga Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Në Valën e Kaltër
Ka dhimbje që shuhen jo me harrim,
por me qetësinë e ujit që di të dëgjojë.
Ah, dhimbjen e mora me vete,
pranë lumit që gurgullonte.
Ai rridhte ngadalë ndër gurë,
si një mik që të dëgjon në heshtje.
Mes lulesh fluturoja lehtë,
ato më pritën me aromë e ngjyrë.
Ngjyra dhe aroma folën pa fjalë,
dhe më dhanë paqen që kërkoja.
Lumi mori brengat e mia, varg e varg,
U zhytën thellë në valën e kaltër,
Lozin vallen e dëshirës së largët,
E dhimbjen e tretën në dritën e agimit.
Kur të rikthehem në qetësinë e tij,
do ta ndjesh në frymën e erës.
Çdo gur, çdo valë, çdo lule,
të ka dhënë paqen që kërkoje në shpirt.
Dhe nëse një ditë më kërkon,
mos më kërko në erë, as në gjurmët e kujtimeve !
jam në dritën që prek buzën tënde,
në çdo valë që pëshpërit emrin tim.

