Opinion nga atdhetari i shquar Veton Binakaj

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të një burri të madh, një patrioti të devotshëm dhe një njeriu që ia kushtoi gjithë qenien e tij çështjes kombëtare. Ismet Ukë Sadik Berisha ishte shembull i përkushtimit, sakrificës dhe dashurisë së pakursyer për atdheun dhe për lirinë e popullit shqiptar.

Veprimtaria e tij patriotike ishte e gjerë dhe e pandërprerë. Ai nuk e deshi Shqipërinë dhe Kosovën vetëm me fjalë, por me vepra konkrete, në kohë të vështira dhe vendimtare për fatin e kombit. Gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zyra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u shndërrua në Zyrë të Fondit “Vendlindja Thërret”, duke u bërë një vatër e rëndësishme e mbështetjes morale, organizative dhe financiare për luftën çlirimtare.

E gjithë qenia e Ismet Ukë Sadik Berishës, ashtu si edhe e familjes së tij, ishte e përkushtuar plotësisht këtij fondi dhe kësaj lufte të shenjtë. Ai dha gjithçka që kishte – kohë, mund, energji dhe zemër – pa kursyer asgjë për lirinë e vendit. Kontributi i tij ishte i heshtur, por i madh; modest, por i pazëvendësueshëm.

Sot, kur ai nuk është më fizikisht mes nesh, vepra dhe kujtimi i tij mbeten të gjalla. Ai do të kujtohet gjithmonë me mall, respekt dhe krenari nga familja, miqtë, shokët dhe nga të gjithë ata që e njohën dhe që e dinë se sa shumë dha për kombin e vet.

Lutemi që Zoti ta mbulojë me mëshirën e Tij, ta shpërblejë për të gjitha të mirat dhe sakrificat që i bëri popullit dhe atdheut, dhe ta ketë banor të Xhenetit. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!