Nga Çlirimtari Genc Sefa-Lushnja

REZALLA – GJAKU QË U BË DRITË

Në Drenicë ku flet toka me gjak,
ku çdo gur mban një betim të pakthim,
ngrihet Rezalla si lis mbi prag,
me plagë në shpirt, zjarr dhe shkrepëtim.

Ishte prill… por pranvera s’erdhi,
veç erë baruti mbi fusha ra,
dielli u fsheh, qielli u zverdh,
dhe nata në mes të ditës u nda.

Krisi pushka mbi derë e mbi prag,
si vetëtimë që çan qiejt përflakë,
erdhi morti me çizme e me zjarr,
për të shuar një fshat… por ndezi një flakë.

O Rezallë, moj tokë e bekuar,
që lind burra si shkëmbi në mal,
në çdo shtëpi një flamur i ngritur,
në çdo zemër një betim i gjallë.

Katërdhjetë e katër yje ranë,
por nuk u shuan – u bënë dritë,
në çdo pikë gjaku u mboll një këngë,
që sot në Drenicë këndohet me shpirt.

Nënat mbetën me duar në qiell,
duke thirrur emrat një nga një,
por zëri u kthye në jehonë mali,
që sot e dëgjon çdo brez që vjen.

Në sofrat bosh, buka u tha,
por nderi mbeti si gur themeli,
se ata burra që ranë atë ditë,
u bënë histori – u bënë flamur i vendit.

Nuk ishte vdekje… ishte betim,
nuk ishte lot… ishte kushtrim,
se gjaku i tyre s’rrjedh kot në dhe,
por bëhet rrugë për liri e për nder.

Dhe kur nata u bë më e zezë se terri,
kur shpresa dukej si fije në erë,
nga gjaku i tyre u ngrit një dritë,
që çau robërinë dhe solli pranverë.

O bij të Rezallës, trima pa varr,
që varret i keni në zemrat tona,
ju jeni kënga që s’ndalet kurrë,
ju jeni fryma që s’vdes ndër kohëra.

Në çdo flamur që valon në erë,
është gjaku juaj që flet pa zë,
në çdo fëmijë që qesh sot i lirë,
është jeta që ju e falët për ne.

Mos qani, o nëna, por mbani kryet,
se bijtë tuaj s’ranë për humbje kurrë,
ata u bënë lisa në themele lirie,
dhe mbi ta rritet një komb, shkëmb e gurë.

E kur të vijë prilli sërish në tokë,
dhe lulet të çelin mbi dheun e zi,
Rezalla do flasë me zë të fortë:
“Ne ramë për jetë… jo për harresë, por për liri!”


Lavdi e përjetshme Heronjve,
Dëshmorëve dhe Martirëve të Atdheut 🇦🇱

Autor: Genc Sefa Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 5 prill 2026.