Nga e mirënjohura Bruna Gosa

Bruna Gosa

Përgjegjësi për të gjallët

Kur lindnin djemtë,
nënat luteshin në heshtje e qetësi:
O Zot, bëji të fortë nën këtë çati,
një krah e një strehë të ngrohtë,
burra që mbrojnë me besë e me nder,
jo duar që mbjellin gjëmë dhe tmerr.

Kur lindnin vajzat,
nënat ngrinin sytë nga lartësia:
O Zot, bëji princesha, falju dritë,
ruaju buzëqeshjen që mbajnë në shpirt,
shtruoju rrugët me lule e paqe,
mos lejo që kjo botë e ftohtë
t’ua preki ëndrrat e t’i kthejë në lotë.

Dhe kështu u rritën nën peshën e një mbiemri: djem me kushtrimin e forcës.
Dhe kështu u rritën nën peshën e një emri:
vajza me amfiteatrin e dashurisë.

Mbajeni frymën e kohës.
Kush ua mësoi djemve biologjinë e pushtetit,
se forca është sundim dhe jo përgjegjësi?
Kush ua pëshpëriti gënjeshtrën e madhe
se gruaja është pronë, objekt i dëshirës,
se fjala “jo” është sfidë,
se ndarja është turp, e largimi tradhti,
se dashuria matet me pranga dhe xhelozi?

Kush ua mësoi vajzave anatominë e heshtjes?
Të gëlltisin zjarrin, të vuajnë në vetmi,
për të mos prishur “nderin” e një mbiemri?
Të fshehin kthetrat e dhunës nën grim,
me shpresën e kotë se ai përbindësh,
nesër do të bëhet princi i premtuar?

Nënat i rritën me lutje metafizike.
Baballarët me ëndrra utopike.
Familjet me shpresën se kjo botë ka peshore.
Por kur vajzat u rritën, peshorja u thye;
disa nuk gjetën princa në këtë tokë,
por xhelatë të dashurisë për kafazin,
dhe burrërinë me të drejtën për të vrarë.

Sot, emrat kthehen në hi dhe ngrirje,
kur një nënë pret te dera me ngërshtim.

Pyetja godet më thellë se tehu:
Ku mbeti përgjegjësia ekzistenciale?
Ku mbeti forca që betohej për mbrojtje?
Ku mbeti burrëria që duhej të kishte vetëpërmbajtje?
kur frika kërkonte një strehë për të jetuar?
kur një zë ulërinte se nata po afronte?
I rritëm djemtë me fjalën e rëndë Burrë,
por a u mësuam se si rritet njeriu?
A u thamë se loti nuk të bën më pak burrë?
Se refuzimi s’është poshtërim,
se ndarja s’është tradhëti,
është rrugë, jo arsye për shkatërrim.
A u treguam se fuqia e vërtetë
nuk matet me zërin që urdhëron,
as me grushtin e shtrënguar që gjymton,
as me frymën që frymon?
Fuqia është respekt,
guximi për t’u larguar me dinjitet.
Një djalë nuk lind me vrasjen në gjen.
Një vajzë nuk lind me kodin e viktimës.
Por një shoqëri që bën spektatorin,
e vesh dhunën me vellon e “dashurisë”,
derisa shpirtin e gjallë ta fusë në qefin.

Nënat ende luten.
Për djemtë, të bëhen të fortë.
Për vajzat, të bëhen princesha.

O Zot,
Dhe neve,
Na jep ndërgjegjen
për të parë përtej hipokrizisë:
të mos e quajmë fatkeqësi,
atë që mund të parandalohej,
të mos e quajmë turp,
atë që duhet denoncuar,
të mos e quajmë dashuri,
atë që shndërrohet në frikë.

Mbi varret, asnjë elegji nuk mjafton,
Sepse, kur të mblidhemi,
kur të ndezim qirinj,
një pyetje si kambanë do të na ndjekë mbi kokë,
përgjegjësi për të gjallët.

27.10.2026