Genc Sefa për të madhin Tahir Sinani
Ka emra që nuk kanë nevojë për krahasime,
as për debate. Njëri prej tyre është emri
i Heroit Tahir Sinani.
Tahir Sinani nuk u bë i madh nga fjalët, por nga veprat. Ai la familjen, fëmijët dhe rehatinë e jetës për t’iu përgjigjur thirrjes së kombit. Luftoi në Kosovë, vazhdoi në Luginën e Preshevës dhe nuk u ndal as në Iliridë, derisa ra në altarin e lirisë.
Pata fatin ta njoh nga afër pas daljes sime nga spitali, pas plagosjes në Operacionin Shigjeta. Jam krenar që më pas bashkëveprova me të në frontet e UÇPMB-së, ku pata rastin të shoh nga afër përkushtimin, trimërinë dhe vendosmërinë e tij të rrallë. Ishte nga ata burra që flisnin pak, por vepronin shumë, duke e vënë gjithmonë detyrën dhe idealin mbi gjithçka tjetër.
Prandaj, emri i tij meriton respekt të veçantë. Ai nuk mund dhe nuk duhet të përdoret në debate të ditës apo në krahasime që zbehin sakrificën e tij.
Për ne bashkëluftëtarët, Tahir Sinani mbetet simbol i trimërisë, i përkushtimit dhe i flijimit për idealin kombëtar. Historia e tij është shkruar me gjak, ndërsa kujtimi i tij jeton në zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësojnë rrugën që ai zgjodhi.
Lavdi e përjetshme Heroit Tahir Sinani!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!
Autor: Genc Sefa- Lushnja
Ish ushtarak, luftëtar në UÇK, UÇPMB,
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë
25 qershor 2026

