Opinion nga Enveristi i njohur Gjon Bruçi

JO SHENGEN BALLKANIK,
POR “SHENGEN” MES SHQIPTARËVE !

Këto ditë, nëpërmjet një shkrimi në fejzbuk, gazetari Sebastian Zonja, na vë në dijeni për një studim të bërë kohët e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë, lidhur me çeshtjen tonë kryesore dhe shekullore, Bashkimin Kombëtar. Studimi, “pro” apo “kundër” idesë së Bashkimit Kombëtar, është realizuar nga disa shoqata të shoqërisë civile të Shqipërisë dhe Kosovës, nëpërmjet një pyetësori të thelluar, drejtuar qytetarëve të këtej e matanë kufirit artificial, shqiptar – shqiptar. Gazetari në fjalë, na bën me dije se këtë javë (java që kaloi) në Tiranë ishte planifikuar botimi dhe publikimi i tij për qytetarët, por një natë përpara u anullua, duke mos dhënë asnjë sqarim.
Nuk i dimë arsyet e pathëna të këtij anullimi, ne veçse mund të hamendësojmë, por disa nga shifrat e publikuara do t’i lançojmë. Sepse çeshtja kombëtare nuk është pronë e individëve apo dhe shoqatave të çfardo lloji, ajo është pronë e gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodhen në trojet e tyre entike.
Nga një vështrim i përgjithshëm i rezultateve të pyetësorit, i cili përfshinte disa fusha të jetës politike, ekonomike e sociale, ndjehesh krenar për zotërimin e ndjenjës kombëtare, e cila nuk është shuar e nuk do të shuhet midis shqiptarëve, edhe pse kanë shekuj të ndarë me dhunë nga pushtues të djeshëm e të sotshëm. Por duhet pranuar se krenaria jonë nuk mund të ngjitet në zenit, atje ku e ka vendin, kur ballafaqohesh me disa nga shifrat në përqindje, që organizatorët e studimit kanë fiksuar në formularët përkatës, çka mund të ketë qenë edhe shkaku i mos publikimit të tyre.
Duke patur parasysh luftën dhe përpjeket shekullore të shqiptarëve për ribashkimin kombëtar të të gjitha trojeve të tyre etnike, luftë e cila asnjëherë nuk ka pushuar, shifra e rezultatit të pyetjes më kryesore, ajo për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si e vetmja mundësi që mund të realizohet aktualisht, duhej të ishte më e pakta tek 90 – 95 %. Ndaj shifra 74.8 %, që rezulton nga studimi, na e ul disi shigjetën e krenarisë sonë kombëtare.
Kjo krenari e ligjshme dhe e pritshme, na lëkundet edhe kur shohim disa shifra të tjera plotësuese të objektivit të Studimit, të cilat jo vetëm do të dëshironim, por edhe duhej të ishin më të larta për subkoishencën tonë konbëtare. Jam i sigurtë se nëse ky studim do të zhvillohej fill mbas Çlirimit të Kosovës në vitin 1999, rezultatet do të ishin shumë më të larta. Po çka ndodhur me shqiptarët e këtej e matanë Drinit, gjatë këtyre 20 viteve, që në pjesën kryesore të tokave shiptare jashtë kufijve tanë shtetërorë, u realizua një Republike e dytë shqiptare, “kandidate” e gatshme për t’iu bashkuar trungut amtar?!
Në këto dy dekada të lira, gjysma e cë cilës me Statusin e Republikës, Kosova, së bashku me Shqipërinë, duhej të kishin realizuar, në mos bashkimin fizik, së paku bashkimin politik, ekonomik e social të tyre. Por kjo nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur, as ajo që varet më shumë nga ndërkombëtarët, por as ajo që varet nga vetë shqiptarët. Pse? Thjeshtë dhe vetëm thjeshtë për faj të liderëve politikë e shtetërore të Republikave tona. Në Kosovë, si dikur në Trojën tonë të lashtë, iu gëzuan “Kalit” të Fitores dhe në vend që të forconin “bedenat” e dëmtuara nga lufta, u gatitën të shijonin paqen, duke pritur se “ç’do të sillte moti”. 10 vite më pas shpallën Republikën, një arritje historike, dhe duke kujtuar Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, shkruan në sheshin e kryeqytetit me germa të mëdha “BACË U KRYE”, duke harruar se objektivi i Bacës dhe i çdo shqiptari ishte ribashkimi kombëtar. Nga ana tjetër e kufirit, domethënë në tokën mëmë, Shqipërinë, pas pritjes e përcjelljes shembullore të vëllezërve nga Kosova të dëbuar nga gjenocidi serb, iu kthyen ngatërresave të tyre, që i kishin ftilluar qysh në nëntëdhjetën, por të mos i ndalur edhe sot pas plot tri dekadave. Për këtë gjendje amorfe të qytetarëve në të dy anët e kufirit shqiptar-shqiptar, “kontribut të jashtëzakonshëm” dhanë e po japin liderët politikë e shtetërore të të dy Republikave tona me të njëjtin emër. Në “ndihmë” të këtyre liderëve, dedhën “djersën” jo vetëm armiqtë e përhershëm të shqiptarëve, serbo-sllavët, por edhe “filot” e këtyre të fundit dhe pse jo edhe pseudointelektualët, kozmopolitët dhe soje të tjera që ka krijuar e formuar teoria dhe praktika e globalizimit të ideve, mallrave, njerëzve. Falë kësaj “vepre”, edhe Studimi për të cilin po diskutojmë, ballafaqohet me shifra jo entusiazte në atë shkallë që, siç e thashë më sipër duhej të ishin. Po citoj disa shifra të studimit, që lidhen me marëdhëniet midis shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë:
Shumica e shqiptarëve të të dy republikave, thonë se nuk e kanë problem të kenë marëdhënie sociale me njëri-tjetrin. Por për martesa midis tyre ndalen në shifrat 75 % në Shqipëri dhe me 56 % në Kosovë. Për martesat me perëndimoret ndahen në shifrat 65,5 % dhe 19.5 %. Akoma më i thelluar është raporti për martesat midis besimeve të ndryshme fetare, ku raporti Shqipëri – Kosovë është 79 % me 13.5 % për Shqipërinë. Në fushën ekonomike, të dy palët e të anketuarëve mendojnë në shumicë se marëdhëniet Shqipëri – Kosovë nuk janë sa duhet të zhvilluara. Gjithashtu në shumicë kërkojnë që të bëhet unifikimi i tarifave doganore. Për të mos harruar edhe kërkesën në shumicë të unifikimit të arsimit, sidomos të librave shkollorë.
Domethënës është dhe qëndrimi ndaj serbëve dhe Serbisë. 84 % e shqiptarëve të Kosovës nuk duan të kenë marëdhënie me serbët dhe serbinë, ndërsa tek shqiptarët e Shqipërisë kjo shifër zbret tek 67 % -shi. Për ta mbyllur me pyetjen kryesore të anketimit, atë të “pro” apo “kundër” bashkimit kombëtar, e cili rezulton në shifrat 75 % në Shqipëri dhe 64 % në Kosovë në favor të “pro”-së. E pajustifikueshme duket edhe shifra e 16 % të shqiptarëve (Shqipëri – Kosovë) që pozicionohen kundër bashkimit kombëtar. Për ta mbyllur me shifrën pesimiste për mundësinë e realizimit të këtij bashkimi, e cila qëndron në 17 % për shqiptarët e Shqipërisë, dhe 23 % për ata të Kosovës.
Shifrat e një studimi nuk janë gjithçka, por sidoqoftë janë një tregues i gjendjes aktuale të shqiptarëve, gjendje e cila do të ishte shumë më e pëlqyeshme dhe më entuziaste, nëse drejtuesit politik e shtetëror do të kishin si prioritet, jo fitimin me çdo rrugë e mjet, jo rolin e sejmenit, të servilit e të mercenarit ndaj të huajve e të mëdhenjëve, por përpjekjet dhe sakrificën për ribashkimin Kombëtar, kërkesë legjitime e sanksionuar në Kushtetutat e dy Republikave tona shqiptare.
Për të justifikuar disi hapin e dyshimtë dhe tepër të rrezikshëm për “Shengenin Ballkanik”, që ndërmori së bashku me ortakun e djeshëm të Milloshviçit, kasapit të Ballkanit dhe sidomos shqiptarëve, Kryeministri ynë perifrazoj: “Në jemi të vegjël dhe nuk mund ta heqim kufirin me Kosovën. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është hyrja në Shengenin ballkanik”!!!
Unë nuk do të ndalem të argumentoj minuset dhe rreziqet që paraqet ky projekt, inicuar nga Presidenti serb, së bashku me të gjatin tonë e të shkurtin e MV, sepse të tjerë para meje, madje profesorë e diplomatë kariere, kanë dhënë argumente të saktë dhe shterues për këtë çeshtje sensitive. Por do të ritheksoj atë që shtrova në krye të shkrimit: Nëse bashkimi fizik i dy republikave tona shqiptare është i vështirë, dhe për momentin ndoshta edhe i pamundur, për shkak të konjukturave politike e gjeostrategjike, bashkimi ekonomik, arsimor, kulturor e shpirtëror midis shqiptarëve të të dy republikave ka qenë dhe është i mudshëm plotësisht. Sigurisht nëse do të kishte një vullnet politik e kombëtar nga ana e atyre që kanë drejtuar e drejtojnë fatet tona në këto tri dekada.
Siç kuptohet nga shifrat e pytësorit në studimin e mësipërm, në disa aspekte të fushës ekonomike, arsimore, kulturore dhe sidomos të traditave, dokeve e zakoneve, shqiptarët e të dy republikave tona, kanë diferenca, të cilat ndikojnë negativisht në qëllimin kryesor të unifikimit e të bashkimit. Këto diferenca janë të justifikueshme për një komb, i cili ka shekuj që jeton i ndarë me dhunë nga shovinistët serbë dhe kancelaritë reaksionare e gjer fashiste të Europës. Diferenca të tilla në kulturë, arsim, mënyrë jetese, në tradita, doke e zakone midis shqiptarëve ka patur edhe brenda Shqipërisë unike, apo siç po quhet këto kohë, “londineze”. Në vitet dyzet-pesëdhjetë të shekullit të kaluar, për shembull, një mirditor me një gjirokastrit, ndonëse ishin në të njëjtën republikë e në të njëjtin shtet, mezi merreshin vesh nga dialekti, sa u duhej një “terxhuman”. Për të mos thënë për shumë diferenca të tjera në fushën e arsimit, kulturës, besimit, mënyrës së jetesës etj. Këto diferenca midis shqiptarëve të Shqipërisë “londineze”, të cilat ishin më të shumta se me shqiptarët e Kosovës sot, u eleminuan brenda dy dekadave të periudhes socialiste. Sigurisht jo me “urdhër të peshkut” por me punë të planizuar dhe të realizuar nga Sistemi Socialist, i udhëhequr nga Rilindasi i madh i Kombit tonë, Enver Hoxha. Sikur liderët politikë e shtetërorë të dy republikave tona të sotme, të punonin sa një e dhjeta e PKSH (PPSH) dhe Enver Hoxhës, unifikimi materialo-shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës me ata ta Shqipërisë, në kushtet kur gjenden në dy shtete ngjitur me njëri-tjetrin, do të ishte realizuar në të gjitha fushat dhe treguesit. Dhe shqiptarët do të ishin jo vetëm të gatshëm për të hyrë politikisht dhe ekonomikisht në familjen e madhe me emrin Europë, por edhe për të shpallur e realizuar ribashkimin e ëndërruar në shekuj.
Ndaj perifrazimi i Kryeministrit tonë, se “ne jemi të vegjël dhe nuk mund të heqim kufirin me Kosovën, pa u futur në Shengenin Ballkanik”, është jo vetëm i pavërtetë, por edhe një qëndrim liliput, në mos dashakeq për perspektivën e popullit shqiptar. Kryeministri Rama dhe gjithë politikanët e shtetarët e dy republikave shqiptare, por edhe ata të trojeve të tjera të shqiptarëve në Ballkan, duhet ta kenë të qartë, se as “Shengeni Ballkanik”, dhe as vetë “Bashkimi Europian” nuk do ta zgjidhin çeshtjen tonë kombëtare, dhe as do ta realizojnë aspiratat e tyre, pa realizuar më parë “Shengenin” midis vetë shqiptarëve.

Leave a Reply