Një Elegji për Ditën e Çlirimit nga Mr.sc.Florent Selca

NË DITËN E ÇLIRIMIT

Vendi ku linda, ku mësova të belbëzoj fjalët e para, ku balta ma përlyente fytyrën ashtu sikur mjalta, ku vetë këtë tokë e quajmë atdhe se e kemi mëmëdhe
Aty ku kam lozur në rrugicat plot gurë të përlyer nga pluhuri i verës e balta e vjeshtës.
Ma rrëmbeve fëmijërinë herët oj toka e bekume, ndër shekuj e mallkume.
Në vendin tim u bëra burrë sa isha akoma fëmijë. Ma mbyllën shkollën, ma fshehën të vërtetën duke m’i uzupuar mediat, mbi të gjitha ma vodhën lirinë. Ma vodhën jo vetëm lirinë, por edhe fëmijërinë, ma plakën rininë.
M’i vodhën pothuajse të gjitha, ma dogjën shtëpinë e tokën ma lanë me gjak.
Gjaku ma uiti tokën, e toka qeli lulet e lirisë. Dukej se liria erdhi, dukej se e bukura ëndërr tani ishte kthyer në realitet.
LIRI, ÇLIRIM, këto ishin kryefjala dhe kallxuesi i vendit tim. Edhe heronjtë, martirët dhe dëshmorët po dukej se po gëzonin aty nën varre.
Shkollat u hapën, bashkë me to edhe universiteti. Të isha një student e ëndrroja gjithmonë.
Sociologu i Kosovës arrita të bëhesha shumë shpejt, por realiteti ma ngadalësoj hovin. E ku të shkoja unë me diplomë në dorë? Në zyret komode të pushtetarëve plot fudullëk, t’ju lëpije këpucët për një të drejtë që kishtë filluar të lakohej deri në nënshtrim.
Nuk u dorëzova para ironisë së fatit, me këmbëngulje specializova, por prapë, prapa ktheu! Mendova se fodullëku i pushtetarëve po ndryshon, por ai u forcua duke e shfryer dufin kundrejt teje. E pra diploma ime e sociologut, më shërbeu ta kuptoj se sa e sëmurë është kjo shoqëri.
I quanin Bjeshkë të Nemuna këto anët tona, por siç duket mallkimi ka pllakisur atdheun tim.
Ca katila e ca qafira, që e kanë zemrën vrerë e gojën pelim, kanë mbjellë farën e inatit, kanë injektu virusin e pabesisë e të interesit.
Këtu në atdheun tim të çliruar nga okupimi, por të pushtuar nga injoranca dhe lakmia, të bën të ndjehësh i robëruar, duke ta kujtuar lirinë vetëm në ditën e çlirimit.
Eh, pra populli im, gëzojuni çlirimit, hapni krahët dhe provoni të fluturoni, sepse vetëm në qiell mund ta gjeni lirinë, se toka jonë ka vend veç për varre dhe për marre.
Shëroni fëmijët tuaj në spitalet e sëmura, edukoni fëmijët tuaj në shkollat e dominuara nga injorantët, kërkoni drejtësi nga kasapi e gjelati, bëjeni sigurinë të duket e frikësuar.
E pra toka ime, e pra o vendi im, ditët e vitet e mia po ikin e ti ke ngecur aty ku të kemi kapërthurë tash e njëzet vjet.
Po prapë të dua oj toka ime e përbaltur, e asfaltuar dhe e shëmtuar me hirë e pa hirë.
TË DUA SE JE E JEMJA !

Florent Selca

Leave a Reply