Enveri dhe letërkëmbimi me Nolin

ENVER HOXHA LETËR DREJTUAR
FAN S. NOLIT
[Prill] 1946
Zotit Fan Noli,
Hidhërohemi tepër kur shohim se shtypi ame-
rikan dhe personalitete të larta amerikane mbajnë një qëndrim jo të drejtë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë, e cila luftoi me trimëri të rrallë përkauzën e përbashkët. Çështja e të ashtuquajturit Vorio-Epir, e ngritur nga ana e monarko-fashisëve grekë, që mbrohet dhe përkrahet nga ana e këtyre personaliteteve, patjetër nuk e forcon miqësinë e popullit shqiptar me Shtetet e Bashkuara.
Mbrojtja e një teze kaq të marrë nga ana e tyre
sjell me vete edhe përgjegjësi ndërkombëtare, pse të mbrosh hajdutët fashistë, që kërkojnë të rrëmbejnë tokën e tjetrit, do të thotë të bëhesh pjesëtar në këtë kusëri. Të gjithë duhet të jenë të bindur se me të gërthitura dhe me «vendime» rreth tryezave të gjelbra, nuk copëtohet kollaj Shqipëria.
Po të cenohen kufijtë e Shqipërisë, ju sigurojmë se ne do t’i mbrojmë deri në njeriun e fundit dhe agresorët fashistë nuk do t’ia arrijnë qëllimit.
Kujt ia ka qejfi, mund ta diskutojë «çështjen e
Shqipërisë së Jugut», por duhet të mendojë se në mes të «vendimit» që mund të marrin monarko-fashistët grekë e miqtë e tyre dhe zbatimit të këtij «vendimi», ndodhet një kufi në Shqipërinë e Jugut, që do të jetë zor të kapërcehet. Ne nuk vëmë në diskutim atdheun tonë, por këtë e mbrojmë kundër çdo agresori. Për këtë, populli shqiptar është i gjithë në këmbë, ashtu siç jeni të gjithëju, vëllezërit tanë të dashur në Amerikë. Populli ynë do të rrojë i lirë në vendin e tij dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë. Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se edhe ju mendoni si ne, se populli ynë luftoi jo për t’u futur në një robëri tjetër, por për të rrojtur i lirë, për të rrojtur i nderuar, ashtu sikundër ai nderon të tjerët. Ai kërkon t’i
respektohen të drejtat e tij, ashtu sikundër res-
pekton të drejtat e tjetrit. Ne jemi të bindur se
për mëmëdheun dhe për mbrojtjen e të drejtave të tij do të ngrihen edhe vëllezërit tanë në Amerikë, ashtu si kanë bërë kurdoherë. Ne do të fitojmë mbi ata fashistë të rinj që do të kërkojnë të dëmtojnë vendin tonë, pse jemi në të drejtë. Në kohët më të errëta të luftës populli shqiptar nuk u tremb dhe ca më pak tani, pse ai ka besim në forcat e veta dhe në të gjithë demokratët e vërtetë të botës.
Gjeneralkolonel
Enver Hoxha

Leave a Reply