Nga e nderuara Makfire Shala
“Aromë floriri, shpirt i varfër”
Lakmia e sotit ka veshë, por s’ka zemër.
E ndien aromën e floririt,
por jo erën e bukës që ndahet me tjetrin.
Sytë ia ka përpirë epshi i pasjes,
duart i ka lidhur me zinxhirët e
“dua më shumë”.
Sot, njeriu s’e sheh njeriun –
e sheh mundësinë.
Buzëqeshja s’është dashuri, por strategji.
Falja s’është paqe, por kalkulim.
Edhe Zoti mbetet veç fjalë
në gojën e atij që s’e ndjen më.
Çfarë bote ndërtojmë,
kur çdo zemër matet me para?
Kur e mira quhet marrëzi,
e ndershmja bëhet qesharake?
Kur fëmijët rriten me ëndrra plastike,
e gratë heshtin për t’u dukur të forta?
Lakmia e sotit është gjarpër
me lëkurë diamanti –
të josh me dritë
e të kafshon shpirtin.
Ajo blen gjithçka,
veç paqen jo.
E kur njeriu humb paqen,
as pasuria, as pushteti,
as duartrokitjet s’e shpëtojnë më.
Prandaj unë zgjedh të jem ndryshe.
Të jem e pasur me dashni,
jo me gurë.
Të flas me shpirt,
jo me maskë.
Të jetoj me pak,
por me ndjenjë.
Sepse fuqia e vërtetë
s’është me pasë gjithçka –
është me mos u shit kurrë.✨
Me respekt e dashuri,
©️Makfire Shala
Stadt Luzern

