Një perlë poetike nga Pedagoge Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
SHPIRTI PUSHON NË MUZG
Kot i përplas valët në rërën e ftohur,
Këmbët tona s’janë më aty,
Mbi butësinë ranore s’ka kush shkelë
Ne u larguam e puthjen e lamë aty…
I dashur
Bota është ulur e mbledhur galuc
S’ka vullnet të sillet nëpër galaktikë
Ai që më deshi dikur me zjarr tani u largua
Në planetin e harresës ai u vendos, aty ku nuk banon askush!
I ftohti i stinës do e mbërthejë,
Malli do e balsamojë vetminë e tij
S’do më ketë kurrë pranë
Në puthjen e tij ka çelë lëndina e lotëve dhe kristalet me brymë i zēnë frymë!
O deti im!
Ti më kot e zhurmëron atë melodi valësh
Shpirti vërtet m’u thye,
Por ti dot s’më vret
Prandaj të lutem pusho o det, mos shkumëzo,
Ai që më deshi me fundin e dashurisë,
Nuk është më!
Njelmësinë tënde degdise në të çarën e plagës së tij,
Largohu me gjithë të!
Një ditë do e kafshojë zemrën e vet,
Me krenarinë e zjarrtë të Nositit
Sqepi i tij do e copëtoj krak – krak
I lënduar do fluturojë mbi kujtimet e dashurisë që ja dhashë të sinqertë
Mbi shkrepa do fluturojē
T’më kërkojë aty ku dikur më pati puthur
Aty ku dikur e shashtisa!
Në këtë botë unë jam gjurma jote,
Përmasë me rrënjë matjane që nga lashtësia
Magji e lulëzuar mbi thjeshtësinë, modestinë dhe sinqeritetin
Aty ku shpirti pushon i rehatuar në muzg
E hëna prej vargmaleve të vetëtimës
Do ta rrëzojë qetësinë e jetës!