Ministri Gashani vazhdon me takime

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti në takim Kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçin, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e projekteve në fushën e sportit dhe rinisë.

Gjatë takimit, Ministri Gashani dhe Kryetari Thaçi nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë dhe Komunës së Obiliqit, i cili synon mbështetjen e projekteve sportive dhe rinore gjatë katër viteve të ardhshme.

Ky memorandum krijon bazën për investime në infrastrukturën sportive dhe rinore, zhvillimin e programeve për të rinjtë, si dhe realizimin e aktiviteteve që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për sportistët dhe qytetarët e Komunës së Obiliqit.