Opinion nga i nderuari Skënder Thaçi

Fisi i Thaçit.

Murr Dedi (Deti) ka jetuar me fisin e tij diku afër detit Adriatik, brënda principatës së Arbërit (Fushë Mahmurrasit).
Të Murr Detit për jetesë më të sigurtë u larguan prej Fushë Mahmurrasit dhe u ngulen në Bushat të Shkodrës, duke u shtrirë në fushën e Zadrimës. Pas një kohe të gjatë në Zadrimë, një trung i këtij fisi, i quajtur Bitër Bushati, mori rrugën drejt veriut për në Tuz, ndërsa vëllai i madh me djemtë e tij qëndroi në Bushat.
Vëllai me të vetët që mori rrugën drejt veriut nuk përparuan dot drejt Tuzit sepse trysnitë sllavo-malazeze i detyruan të ndërrojnë rrugën për në lindje.
Ata udhëtuan nëpër male e shkëmbinj, kaluan nëpër Pult, Malësi të Vogël, Shllak dhe zbritën në lumin Drin në Vaun e Skvinës duke u vëndosur me banim në Berishë të Pukës. (Studim i vitit 1969 mbi shtrirjen e fisit të Thaçit në treven e Pukës dhe libri Kanuni Lekë Dukagjinit – Varianti i Pukës nga Xhemal Meçi, fq 183-184.)

Ardhja e fisit të Bitër Bushatit në Berishë ka ndodhur rreth viteve 1350, vite që i përkasin periudhës së Perandorisë Bizantine.
Fisi i Thaçit në treven e Pukës njihet me emrin e një stërgjyshi të quajtur Gjeç Gjon Prendi.
Gjeç Gjoni kishte 4 djemë: Buç Gjeçin, Geg Gjeçin, Prend Gjeçin dhe Dod Gjeçin.

Shtrirja e Thaçit në Pukë lidhet me katër djemtë e Gjeç Gjonit. Duke u shtuar në numër dhe në breza, u krijuan familje të shumta dhe zunë vendbanime të reja, jo vetëm në Iballe, por në të gjithë pjesën lindore të lumit Drin, nga Bugjoni e deri në Lumin e Truenit, përfshirë edhe Rrugën e Madhe.
Vëllai i madh, Buç Gjeçi, me trungun e tij familjar përveç Iballes u shtri edhe në Arst, Mzi, e Flet.
Gega, vëllai i dytë, zuri vend në Bugjon dhe Fierzë.
Prend Gjeçi u shtri në Miliska, Flet, Xath, Kulumri, Truen e Sakat.
Vëllai tjetër, i katërti, Dod Gjeçi, u largua nga treva e Pukës dhe zuri vendbanim në Dushman (zonë e Shllakut)
Megjithëse kanë kaluar dhjetra breza, dushmanasit janë një me fisin e Thaçit të Pukës dhe ruajnë dokët e zakonet e këtij fisi.

Fisi i Thaçit shkon në 36 breza deri te Murr Dedi (Deti).
Fisi i Thaçit është një ndër fiset më të mëdha e kryesore jo vetëm në Pukë por mbarë Shqiptari, duke u shtrirë gjërë edhe në Kosovë e Maqedoni.
Fisi i Thaçit është një ndër 12 fiset e Lekë Dukagjinit.

Leave a Reply