Komandant Nasim Haradinaj kërkon unitet mbarëkombëtar dhe maturi

OVL apelon që të ndalen urgjentisht të gjitha perçarjet dhe ndasitë në popull pavarësisht a janë të natyrës politike partiake, apo të asaj kulturore, edukative dhe fetare.

Sepse ato mbillen nga kuzhinat e jashtme armiqësore dhe përhapen nga keqbërësit propagandistik vendor.

Bëhet fjalë për ndasi totalisht të pakuptimta që mund ta çojnë popullin tonë të dashur në luftë vëllavrasëse, në kohën kur pandemia globale Covid 19 po e rrezikon jo vetëm shëndetin por edhe paqen në botë.

Sepse rrezikimi i shëndetit të njerëzve e sjell karantinën, gjegjësisht izolimin, ndërsa izolimi rezulton me mbyllje, gjegjësisht falimentim të firmave dhe humbje të vende të punës.

Pra përveç shëndetit të njerëzve kjo pandemi po e rrezikon edhe bazën e tyre ekzistenciale.

Dhe kur rrezikohet baza ekzistenciale e shumicës, atëherë shpërthejnë protestat sociale të cilat e rrezikojnë sigurinë e njerëzve anembanë globit.

Prandaj në fokus të politikës globale do të jetë përpjekja e madhe për sigurimin e drejtpeshimit social ndërmjet shtresave, kombeve dhe shteteve.

Ne si OVL jemi të vetëdijshëm që krimi i organizuar, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i buxhetit, privatizimit, politikës së brendshme dhe asaj të jashtme na ka sjellë këtu ku jemi.

Mirëpo pas shpërthimit dhe përhapjes së pandemisë shkatërrimtare globale Covid 19, rrethanat ndërkombëtare pritet të ndryshojnë aq esencialisht, sa që vetëm një plan urgjent dhe emergjent mbarëkombëtar mund të na shpëtojë nga katastrofa humanitare shëndetësore, sociale, ekonomike, financiare dhe ajo e sigurisë që mund të ndodh.

Sepse, nëse vazhdon edhe për një kohë të gjatë izolimi i domosdoshëm nga virusi Korona, mund të rrezikohet rëndë mirëqenia sociale globale dhe të shkaktojë varfëri dhe mjerim të paparë social.

Aq të paparë, sa që problemet e brendshme që i kemi tani, do të na duken lule e dritë.

Dhe kjo situatë e re kërkon si prej politikës ashtu dhe prej popullit reflektim të mençur, urtë dhe matur për hir të mirës së përgjithshme, prandaj çdokush që krijon në këtë situatë emergjente rreziqe shtesë nëpërmjet tensioneve, përçarjes, hasmimit dhe manipulimit të popullit nuk ia do të mirën Kosovës.

Kjo vlen sidomos për nomenklaturën tonë politike në pozitë dhe opozitë.

Në vend të kësaj të gjithëve se bashku na duhet më shumë së kurrë më parë në historinë e shtetit tonë të ri, bashkimi i trupit, shpirtit dhe mendjes, për ta ruajtur jo vetëm njëri tjetrin nga rreziqet e lartpërmendura, por edhe atdheun dhe shtetin.

Sepse pa shtet dhe atdhe nuk jemi asgjë.

Çdo politikan shqiptar (pavarësisht cilit subjekt politik i takon) që e shfrytëzon këtë situatë të mjerë për poena politik, nuk mund t’ia do të mirën as kombit, as atdheut, e as shtetit.

Në vend të kësaj ne si OVL apelojmë fuqishëm te pushteti dhe opozita që të mbledhin mend dhe të mos luajnë me fatin e popullit, atdheut dhe shtetit për hir të interesave personale dhe puro egoiste.

Gjithashtu apelojmë që për një kohë të pacaktuar t’i lënë pas vetes përleshjet e shëmtuara që i shërbejnë vetëm politikës intrigante dhe në vend të kësaj ta bashkojnë, shfrytëzojnë dhe fokusojnë tërë energjinë e tyre psikofizike në përpilimin e një plani të detajuar, emergjent dhe urgjent për shpëtimin e kombit dhe shtetit nga rreziqet akute që ndërlidhen me pandeminë dhe negociatat me Serbinë.

Nëse kjo nuk ndodh do të hyni të gjithë së bashku në histori si egoistet dhe dështakët më të mëdhenjë.

Gjithashtu apelojmë te mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe dhunës dhe në vend të kësaj ta përdorin tërë kapacitetin e tyre për informimin e drejtë, urtë dhe të matur të opinionit për sfidat që e presin në të ardhmen.

Sepse ato s’do te jenë aspak të lehta.

Përkundrazi do të jenë aq të vështira, sa që vetëm të bashkuar mund të dalim faqebardhë prej tyre.

Me brengen tejet njerëzore dhe mirëdashëse në shpirt, uroj që të mbledhim mend të gjithë së bashku.

I juaji, Nasim Haradinaj, nënkryetari i OVL-ës.

Leave a Reply