Hysni Milloshi për Enver Hoxhen

E N V E R H O X H A

-1908 – 16 Tetor – 2020
112 Vjetori i lindjes –

HYSNI MILLOSHI
-Fragment nga poema “ATDHEU”

Në njëmijë e një qelira, dergjet nëna sakatosur,
Një poet syrgjin i kombit, “arratisur syrgjinosur”.
Një djalosh i hijshëm endej, nëpër udhët e Parisit,
Ndjekur hap më hap të jetës, nga titani zë i plisit.

O, ky plisi kish me vete, gjithë hallet, gjithë tokën,
Në Paris e në Bruksel, kuvendon me Enver Hoxhën,
Të dy flasin shqiptarisht, i betohen njëri-tjetrit,
Ndërsa burrat shemb si kullat, gijotin’ e zezë e mbretit.

Syt’ e plisit s’bënin lutje: Më shpëto nga gijotina,
Syt’ e plisit flakëronin, si një pyll i madh me trima,
Syt’ e plisit ishin populli, që të birit i çon fjalë:
Të kam pritur pesëqind vjet, më ke atë e të kam djalë!

Enver hoxha ndjeu malet, si i hynin në damarë,
Ndjeu mijëra vjet të kombit, që i ndizeshin pishtarë,
Në dy grushta i rënduan, dy Korabë e dy Tomorrë,
Gjithë fushat lulethara, gjithë kreshtat me dëborë.

Gjithë armët që Liria, pati shkrepur mbi tiranët,
Gjithë brengat e Atdheut, gjithë kujet, gjithë këngët,
Në damarë të atij trupi, s’derdhet gjak, po historia,
Ndizte flakët e hakmarrjes, me pishë dielli Shqipëria.

Ai e dinte që Liria, rron në popull e pa vdekur,
Ai e dinte që Liria, gjakun lyp e sy të mënçur,
Ai e dinte që Liria, lind veteveten përmbi dhé,
Perënditë perëndojnë, jo të popullit epopé.

Ai besonte vegjelinë, në kasolle, në barakë,
Jo saraje bejlurçinash, jo kodoshët në “oxhakë”.
Ai besonte se në popull janë të gjitha mrekullitë,
Se kur ngrihen-o kasollet, përmbys bien mbretëritë.

Dhe trokiti nëpër fusha, nëpër male me dëborë,
Ku jetonin të pamposhtur gjeneralët popullorë,
Ku çdo zemër kish një Krujë e një Frashër poezie,
Ku lahutat lahutonin, shpirt e zjarr prej Shqipërie.

Ai nuk priti që armata të rreshtohej me fjalime,
Po u hodh në ballë betejash, ku ish prova më sublime,
Ai besonte trimërinë, siç beson syri në dritë,
Plumbi trimin s’e tremb kurrë, plumbi trimin e ka frikë.

Shpëtimtarët e mëdhenj, s’rreken të shpëtojnë kokën,
Po një popull fukara dhe të shenjtën nënë, tokën.
Me një çelës Komunizmi hapi shekullin e Ri,
Si gjeni ka dashuruar, ka urryer si gjeni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *