Veprimtari emblematik z.Veton Binakaj me një opinion me vlerë
Grevat e Minatoreve dhe studenteve me 20 shkurt 1989 ne Kosove
Një përkushtim dhe Bashkim i pa shembullt në Lëvizjen Kombëtare për Liri dhe të drejta tona në tokën tonë!
Pas kthimit në Qendrën e Studentëve, atë natë informuam studentët për vizitën në Stari Tërg. Të nesërmen, gazeta Rilindja shkroi se studenti Veton Binakaj kishte sjellë mesazhin e minatorëve në mesin e studentëve. I kërkova gazetarit që raportonte nga qendra të mos e përmendte emrin tim, pasi kjo mund të më rrezikonte seriozisht për shkak të aktivitetit tim për interés Kombëtar .Ai u tregua i kuptueshëm dhe kërkoi ndjesë.
Të nesërmen morëm informacion se minatorët në Golesh dhe Magurë rrezikoheshin nga helmet në njërën nga minierat ku drejtori përgjegjës ishte serb. Shkuam me një delegacion dhe, pasi na priti drejtori jonë shqiptar Xhemë Vokrri, zbritëm në zgafellë. I kërkova të më lidhte me një anëtar të këshillit organizativ të grevës dhe e pyeta për sasinë e eksplozivit. Më tha se kishin rreth 500 kilogramë. I këshillova që veprimet t’i harmonizonin me ato të minatorëve të Trepçës dhe të tregonin kujdes maksimal, në rast se dikush prej tyre mund të ishte bashkëpunëtor i UDB-së.
{Vite më vonë, në një takim në Mynih, Xhemë Vokrri më tregoi se kishte shkuar te një mik për të shqyrtuar mundësinë e sigurimit të armëve nga një fabrikë armatimi, në rast se shpërthente lufta.}
Pas kthimit nga Golesh e Magurë, u takova në palestrën sportive me profesorët Zekeria Cana dhe Agim Vinca, të cilët i informova për rrezikimin e jetës së minatorëve. Së bashku me disa studentë shkuam në Institutin Albanologjik, ku u takuam me profesorët Masar Stavileci, Zekeria Cana, Agim Vinca dhe Rexhep Qosja. Pasi e informova për situatën por për planin sekret të minatorëve kisha frikë se ndonjëri mund të ishte spiun i udbës dhe mbajtja këtë informacion sekret por duke këshilluar profesor Qosjen të kontaktonte me vëllaun e tij Isa Qosja pasi ai qëndronte me minatorë ato ditë greve , Rexhep Qosja hartoi një apel drejtuar institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare për shpëtimin e jetëve të tyre, duke theksuar se shpëtimi i tyre do të ishte mirënjohja më e madhe.
Para se të dilnim, e pyeta profesor Qosen se si duhej të vepronim në rast se forcat serbe, së bashku me mjetet e blinduara ,do të vinin dhe do t’i bllokonin të gjitha hyrjet e palestrës sportive, ku ndodheshim me mijëra studentë, dhe nëse do të fillonin të shtinin në drejtimin tonë. Ai u përgjigj se nuk besonte se do të vepronin në një mënyrë të tillë, pasi një veprim i tillë nuk do të lejohej nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, në rast se do të përballeshim me një situatë të tillë, ai sugjeroi që studentët të largoheshin në mënyrë të organizuar, duke dalë nga çdo dalje nga dy ose tre persona së bashku, derisa të arrinte të largoheshin të gjithë studentët.
Apeli u dërgua në Tanjug, si dhe në Radio Televizionin e Prishtinës. Për në Radio dhe Televizionin e Prishtinës u drejtuan disa studentë, së bashku me profesorin Masar Stavileci dhe profesorin Agim Vinca, ndërsa me kërkesë të profesor Zekeria Canës, hyra vetë në zyrat e Tanjugut për ta dorëzuar thirrjen, duke u përballur me pyetje provokuese, të cilave iu përgjigja shkurt dhe qartë. Më pas u kthyem në palestrën sportive, ku studentët dhe profesorët qëndronin së bashku.
Situata në Hallën Sportive ishte tejet e tensionuar. Nxënës të shkollave të mesme dhe fillore kishin vërshuar masivisht, me synimin për t’u bashkuar me ne brenda grevës. Më kujtohet se Fadil Kryeziu ndodhej nën një presion të jashtëzakonshëm, teksa mbante mikrofonin dhe u drejtohej masave të grumbulluara.
Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejmë të situatës, dolëm së bashku jashtë sallës për t’u qetësuar dhe për të diskutuar, duke mbetur vetëm ne të dy. Ndërkohë, tensioni vazhdonte të rritej, paralelisht me shtimin e grumbullimit të nxënësve të shkollave të Prishtinës rreth e përqark Hallës Sportive, të cilën e inspektuam në të gjithë perimetrin e saj.
Vijon

