Nga i çmuari Genc Sefa
KUR BUDALLAI NGJITET NË FRON
Nuk erdhi nata me bubullimë,
As rrufeja që përvëlon çdo anë,
Vetë e mbollën farën e mjerimit,
Dhe e rritën derisa u bë tufan.
Ngritën fron për njerëzit pa dije,
U dhanë kurora atyre pa mend,
E quajtën urtësi çdo marrëzi,
Dhe të vërtetën e shitën në kuvend.
Kur foli dijetari, e përqeshën me tallje,
Kur foli mashtruesi, e ngritën në lavdi,
Brohoritën fort për fjalët e zbrazëta,
Dhe fundosën vetveten në marrëzi.
Budallai s’erdhi prej një bote tjetër,
As si pushtues nga deti a kufiri,
Ai u ngrit mbi supet e turmës,
Që ia hapi vetë portën e fatit të lig.
E mbajtën lart si shpëtimtar të kombit,
E shpallën prijës, e shpallën dritë,
Por pas fjalëve plot tym e zhurmë,
Fshihej veç errësirë e ligësi pa pritë.
E kur urat nisën të shemben ngadalë,
Kur arat mbetën djerrë e shkretim,
Pyetën me habi: “Kush na e solli këtë?”
Sikur fajin ta kishte veç rastësim.
Por rrënimi ka një rrugë të njohur,
Që nis aty ku shuhet arsyeja,
Ku nderi i falet mediokritetit,
Dhe hesht e mposhtur ndërgjegjja.
Një komb nuk bie brenda një nate,
As nuk fundoset nga një dallgë në det,
Ai rrëshqet ngadalë drejt humnerës,
Kur budallain e ngre mbi çdo mbret.
Mos kërko pra armik nëpër hije,
As dorë të fshehur përtej kufirit,
Kur vetë ia dhe çelësat e shtëpisë
Atij që s’dinte udhën e shpëtimit.
Se kur budallai ngjitet në fron,
Mençuria endet e përbuzur në mjerim,
E vërteta lidhet fort me zinxhirë,
Dhe mashtrimi vishet si sundim.
Historia këtë mësim na e lë,
Të shkruar me gjak në çdo brez e stinë:
Kur budallai ngjitet lart në fron,
Rrënimi ngjitet pas tij si hije pa kthim.
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Ish ushtarak, luftëtar në UÇK, UÇPMB,
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë
17 qershor 2026.

