Poezi nga Elmije Ajazi

FAJIN E KA LOTI

Fajin e ka loti, ai zog pa strehë,
që më gjeti sytë, hyri pa leje.
U struk në dritë, si mall i vjetër,
si një kujtim që s’gjen dot prehje.

Unë heshta , dhe heshtja më rëndoi,
si një mantel që s’më mbronte më.
Por loti foli, pa më pyetur,
për gjithçka që zemra s’guxoi të thotë.

Foli për plagët që qeshën në hije,
për ëndrrat e rëna në rrugët e mia,
për fjalët që i lashë në buzë të heshtura,
si degë të thyera në një pranverë të ngrirë.

Nuk doja të dukesha e dobët ,
se bota e prek dhimbjen me sy të huaj.
Por ai më tradhtoi, rrëshqiti ngadalë,
si një e vërtetë që s’mban dot plagë.

Dhe kur më zbuloi shpirtin lakuriq,
si fletë në erë, si dritë në ujë,
e kuptova , s’ishte faj i tij,
ishte shëlbim, një frymë e huaj.

Një lajmëtar i butë, pa zë,
që m’i preku ndjenjat me dorë të lehtë.
Ai s’erdhi të më turpërojë,
por të më kujtojë se jam ende e gjallë
edhe kur dua të dukem e fortë.

Regensburg , me 7 tetor 2025