Veprimtari shquar Veton Binakaj uron festat e Nëntorit
Urim i përzemërt për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!
Sot përkulemi me nderim para kujtimit të të gjithë atyre burrave e grave që luftuan dhe sakrifikuan jetën, familjet dhe rininë e tyre, që ne sot të jetojmë të lirë, të çliruar nga vargonjtë e pushtuesve që për shekuj synuan të nënshtrojnë shqiptarët.
28 Nëntori është mësim dhe udhërrëfyes për brezat—një kujtesë e gjallë se ky komb i lashtë ka qëndruar gjithmonë i bashkuar kur interesat kombëtare kanë kërkuar sakrificë. Sa herë që atdheu ka qenë në nevojë, shqiptarët kanë lënë mënjanë interesat vetjake dhe janë rreshtuar në mbrojtje të lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar.
Sot kujtojmë me krenari të gjithë dëshmorët, nga të parët tanë që ndërtuan themelet e shtetit shqiptar, deri te luftëtarët heroikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me trimërinë, gjakun dhe besën e tyre vulosën një kapitull të ri të lirisë shqiptare. Shokët tanë që nuk janë më në mesin tonë, por që mbeten përgjithmonë pjesë e lavdisë së kombit, i nderojmë me madhështi dhe mirënjohje të thellë.
Lavdi të gjithë atyre që ranë për flamurin kuqezi!
Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e unitetit, krenarisë dhe qëndresës shqiptare!

