Nga shkrimtarja shquar znj.Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

Shoku i ri në klasën tonë

Ishte një ditë e bukur pranvere. Rrezet e diellit hynin nga dritarja e klasës. Nxënësit ishin ulur të gjithë nëpër vendet e tyre dhe po prisnin fillimin e mësimit. Nxënësi më i qeshur i klasës, Iliri, vështronte nga dritarja dhe ishte përhumbur në ëndërrime.

Papritmas, mësuesja hyri në klasë dhe, me një buzëqeshje në fytyrë, përshëndeti fëmijët dhe iu drejtua atyre me një zë tê ëmbël:

— Fëmijë, sot një nxënës i ri do të vijë në klasën tonë!

Të gjithë nxënësit kthyen sytë nga dera. Kureshtja e tyre ishte e madhe. Era iu drejtua shoqes së bankës:

— Ta shikojmë kush është dhe çfarë natyre ka. Do të jetë i qetë apo grindavec e do të mburret para nesh?

— Jo, prit o Era — i tha Marini. — Ai është nxënës i ri. As do të mburret, as do të grindet. Fillimisht do të njihet me ne dhe ne duhet ta afrojmë e ta bëjmë të ndihet mirë në shoqërinë tonë. Pastaj, mësuesja nuk na tha nëse familja e tij ka ardhur nga jashtë apo nga ndonjë rreth i Shqipërisë.

Në atë moment, në klasë hyri drejtori i shkollës së bashku me prindërit e djalit. Djali kishte sy të kaltër, flokë kaçurrela biond dhe quhej Arbër. Mësuesja e dinte që nxënësi i ri vinte nga Kosova dhe se prindërit e tij ishin të punësuar në Tiranë.

Pasi u prezantua nga drejtori, prindërit e tij përshëndetën klasën me shumë dashuri. Të gjithë nxënësit shikonin Arbërin, kureshtarë se me kë do ta ulte mësuesja.

— Mësuese, a mund të ulet Arbëri me mua? — foli Amelia. — Unë jam vetëm në bankë, sepse Dea është larguar përgjithmonë nga Shqipëria. Familja e saj ka ikur në Amerikë.

— Po, Amelia — tha mësuesja. — Arbëri do të ulet me ty.

Arbëri eci ngadalë drejt bankës, duke u ndjerë pak i turpshëm.

— Emri im është Arbër — i tha ai me zë të qetë shoqes së bankës. — Po prezantohem përsëri me ty.

Iliri, që gjithmonë donte të kishte miq të rinj, u ngrit dhe i tha:

— Përshëndetje, Arbër! Do të ulem edhe unë pranë teje dhe do të të tregoj të gjitha sekretet e lojërave tona në klasë!
Arbërit i qeshën sytë nga fjalët e shokut të klasēs, i cili i afroi menjëherê miqësinê e tij tê sinqertë dhe, ia ktheu,- edhe unë do t’ju tregoj për lojrat tona që bēnim në klasê në Prishtinë.

Gjatë ditës, Arbëri zbuloi se nxënësit e klasës ishin shumë të mirë dhe se mësuesja gjithmonë i ndihmonte të gjithë të kuptonin lëndën. Ai mësoi shpejt, por më e rëndësishmja, gjeti shokë të rinj, me të cilët do të luante gjatë gjithë vitit.

Në fund të ditës, Arbëri tha me një buzëqeshje shumë të sinqertë fëmije:

— Nuk e kisha besuar se që ditën e parë në shkollë do të ndihesha kaq i lirshëm dhe kaq mirë!

Të gjithë nxënësit u kthyen në shtëpi me zemrat plot gëzim, duke pritur me padurim ditën tjetër për të mësuar dhe për të luajtur së bashku me shokun e ri të klasës së pestë.
Mesazh: Mirësia, mikpritja dhe shoqëria e sinqertë e bëjnë çdo fillim të ri më të lehtë dhe çdo fëmijë të ndihet si në shtëpinë e vet.