Reagim nga Shoqatat atdhetare në Amerikë

Në emër të Shoqatave të Ushtrarakëve dhe të Veteranëve Shqiptarë në SHBA dhe Kanada

REAGIM PUBLIK

Ne, shoqatat dhe organizatat e bashkëngjitura, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj pretendimeve të Prokurorisë Speciale për dënimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pretendime të cilat përbëjnë jo vetëm një sulm të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesve të luftës çlirimtare, por edhe një përpjekje të rrezikshme për njollosjen e vetë luftës sonë për liri.

Kjo qasje synon të barazojë viktimën me kriminelin, të relativizojë gjenocidin e ushtruar nga Serbia dhe të zhvendosë fokusin nga agresori te populli i pushtuar, i cili u ngrit për mbijetesë, dinjitet, çlirim dhe bashkim me Shqipëri.

Është e papranueshme që në një proces të këtij niveli, të përdoren si “bazë” materiale të dyshimta, dëshmitarë të fabrikuar dhe dosje të përpunuara nga aparati represiv i Serbisë, konkretisht nga strukturat e MUP-it, të cilat ishin vet instrumenti i krimeve, i spastrimit etnik dhe i terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve.

Nuk mund të ndërtohet drejtësi mbi prova të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, të cilet edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës nuk i dorëzojnë eshtrat e 1600 shqiptarëve të zhdukur me dhunë.

Po aq shqetësuese është edhe tendenca për të anashkaluar dëshmitë e figurave eminentë ndërkombëtare të mbrojtjes, njerëz që kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të realitetit të luftës në Kosovë dhe të karakterit të saj çlirimtar.
Dëshmitë e personaliteteve si Gjenerali Wesley Clark, James Rubin, Paul Williams, John Duncan, Jock Covey, Christopher Hill, Michael Durkee si dhe dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes, qe përfaqësojnë një të vërtetë të njohur botërisht: se lufta e UÇK -së ishte luftë për liri dhe mbrojtje nga gjenocidi, jo projekt kriminal.

Lufta jonë ishte luftë e drejtë. Pikërisht për këtë arsye, Kosova kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe gjithë botës demokratike.

Tendenca për kriminalizimin e luftës së UÇK-së dhe dënimin e krerëve të saj është, në thelb, një tendencë për të njollosur edhe vetë mbështetjen historike që bota demokratike i dha popullit shqiptar për t’u bërë komb dhe shtet i lirë.

Ne i bëjmë thirrje Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale që vendimi i tij të mbështetet në prova relevante dhe në dëshmitë e njerëzve që ndalën gjenocidin, e jo në narrativat e prodhuara nga strukturat e Millosheviqit që kryen gjenocid dhe kulturocid në Kosovë.

UÇK-ja dhe drejtuesit e saj kanë vepruar në funksion të çlirimit dhe kanë respektuar normat e luftës, Konventat ndërkombëtare dhe parimet bazë të humanizmit, edhe në rrethana ekstreme pushtimi dhe terrori.

Drejtësia nuk mund të jetë instrument politik, e as mjet për ta rishkruar historinë.

LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!

Shoqata e Ushtarakëve Shqiptar “Skënderbej” – New York

Kryetar: Nenkolonel Gëzim Shentolli

Forumi i Ushtarakëve Shqiptar – Philadelphia

Kryetar: Nico Salavaqi

Shoqata “Bijtë e Shqipes” – Philadelphia

Kryetar: Dritan Matraku

Organizata e Veteranëve të UÇK-së për Amerikë dhe Kanada

Kryetar: Kolonel Astrit Huskaj