Vështrim nga Mr.Florent Selca
UDHËKRYQET E RREZIKSHME TË SHQIPTARËVE NË DITËT TONA
“Marrëdhëniet me Amerikën nuk janë të shkëlqyera, por janë të mira”, do të thoshte kryeministri para disa ditësh. Çfarë luksi të thuash se marrëdhëniet nuk janë të shkëlqyera me bashkëthemeluesin e shtetit tonë.
Politika shqiptare ka filluar devijimin strategjik euro-atlantik, shmangie kjo të cilën qarqet anti-shqiptare e kanë synuar që moti.
Kosova po rrëshqet ngadalë drejt aventurave meskine me sfond patriotizmin fiktiv-primitiv.
Qytetaria duhet të bëhet aktive, nevojitet reagim popullor në mbrojtje të shtetësisë dhe vlerave tona kombëtare në miqësi permanente me SHBA-në. Çdo politikë e jona strategjike duhet të jetë në linjë me miqtë tanë amerikanë. Ai apo ajo që punon ndryshe, nuk i shërben për të mirë shtetit tonë.
Influencia për së mbrapshti ka shtrirë tentakulat edhe në Maqedoni, Serbi dhe së fundi në Shqipërinë tonë.
Protestuesit në Tiranë janë, në shumicë, burra e gra, djem e vajza të ndershëm dhe atdhetarë, por të manipuluar nga qarqet që punojnë për devijimin e kauzave tona si komb dhe shtet.
Influencistët e influenceret që për dy pare e shesin edhe dinjitetin, nuk e kanë problem ta dëmtojnë kombin as shtetin.
Protesta që kanë të infiltruara qarqe nga bota anti-shqiptare, me kauzën e Flamengos, po tentojnë t’i mbyllin dyert evropiane të Shqipërisë mu në hapin final të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Si ka mundësi që gjithmonë në momentet më vendimtare, një mendje e prishur tenton ta shkatërrojë një komb andej e këndej kufirit?
Haxhiqamilët të kamufluar si flamengo kanë ngritur krye kundër investimeve miliardëshe që do ta zhvillonin Shqipërinë.
Këtu në Kosovë, pushteti i fituar me mashtrim dhe opium kolektiv po dridh themelet e shtetit që u krijua me shumë sakrificë, e atje në Shqipëri, sheshi po ushton nga britmat ogurzeza që synim kanë stagnimin e zhvillimit ekonomik.
Florent Selca.

