Opinion nga atdhetarja spikatur znj.Shemsije Elshani
Vlerat nuk kanë moshë
Sot dëgjojmë shpesh të flitet me krenari apo me paragjykim për “brezin e ri” dhe “brezin e vjetër”, sikur viti i lindjes të ishte një garanci automatike për dijen, karakterin apo vlerat e një njeriu.
Në jetën time kam njohur njerëz të moshuar në vite, por jashtëzakonisht të rinj e të hapur në mentalitet. Po ashtu, kam parë të rinj në moshë, por krejtësisht të ngurtë, të prapambetur, gati arkaikë.
Prandaj konsideroj se mosha, ashtu si gjinia, nuk e përcakton formimin, edukatën dhe as karakterin e askujt. Secili brez mund të ketë tiparet e kohës së vet, por kjo nuk mund të merret kurrë si përparësi absolute. Po ashtu, nuk është e drejtë as kur të moshuarit i përdorin vitet mbi supe si autoritet absolut për të pasur gjithmonë të drejtë. Përvoja e jetës është e vyer, por kur kthehet në monopol të së drejtës që refuzon të dëgjojë tjetrin, ajo humbet vlerën e saj. Mjedisi ku rritesh, edukata, arsimi dhe faktori ekonomik kanë shumë më tepër peshë sesa dekada kur ke ardhur në jetë.
Etiketat si “Gen Z” apo “Boomers” janë krijuar për studime dhe marketing, jo për t’u përdorur si mburojë apo si armë në debatet e përditshme.
Këtë kontrast e pashë shumë qartë këto ditë në ekran. Nga njëra anë, pashë të rinj të edukuar që prezantuan vlera dhe ide të shëndosha, të cilat më “ranë tamam” direkt edhe mua që jam në moshë. Nga ana tjetër, në protesta në Tiranë, pashë të rinj që në emër të brezit të tyre nuk përfaqësuan asgjë tjetër veç dhunës dhe shkatërrimit, ndërsa në studio televizive, si në debatin te Grida Duma, sollën vetëm arrogancë.
Kur një i ri sillet me dhunë apo arrogancë, ai nuk po përfaqëson të ardhmen, por po përsërit modelet më të shëmtuara të së shkuarës. Ndërsa kur dikush -qoftë 20 apo 70 vjeç – flet me arsye, maturi dhe respekt, ai bëhet menjëherë i besueshëm për të gjithë.
Në fund të fundit, njerëzit nuk ndahen sipas brezave. Ata ndahen në të formuar dhe të paformuar, në mendjehapur dhe mendjembyllur. Dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me moshën.

