Nga e nderuara Dalinë Arifi
MËNGJES I FRESKËT TETORI ME POETEN
Dalinë Arifi
Portret
Në qytetin e një mijë e një netëve tona
u ktheva unë.
Në stolin e vjetër pashë të rinj të dashuruar,
të lumtur në krahët e njëri-tjetrit,
sikur asgjë tjetër të mos ekzistonte.
E, për çudi, m’u kthyen të gjitha kujtimet tona,
ti dhe unë, që dikur ishim «ne».
Dikur ishim të lumtur,
nuk njihnim ndarjen.
Në qytetin e një mijë e një netëve tona
po kthehesha unë, me portretin e ri
dhe plagën e vjetër.
Asgjë nuk ishte më njësoj,
as rrugët, as lagjet, as bulevardet.
Vjeshta i kishte rënduar,
m’u duk sikur vuanin njësoj si shpirti im.
Vuajtjet ishin portretizuar
sikur në një galeri arti.
Sa portret të bukur kanë marrë kujtimet
në këtë qytet, ku vjeshta ngjall nostalgjinë!
Kthej kokën pas… kërkoj…
Kërkoj të gjej ca grimca të dashurisë sonë.
Shoh kohën, kohën që ka ecur.
Vitet ishin tretur tinëzisht,
veç unë kisha mbetur e heshtur,
nga malli për vitet e mia.
I bie qytetit fund e krye,
nga «Jeta e Re»
tek «Burgu i Qarkut».
Sa tinëzisht ikën koha, ikën e ikën,
e mua më duket sikur ishte dje
kur u ktheva në këtë qytet.
E thyer nga mosha,
me rrudhat e qëndisura në ballë,
me thinjat mbi kokë që më kishin ndryshuar.
Askush nuk më njohu,
as unë vetë nuk e njihja veten.
Isha tretur ndër vite.
U ktheva unë,
por nuk harrova të lë pas
mallin, dhimbjen
dhe ca grimca
nga ajo kohë e kaluar.
Portret i heshtur i një zonje,
që e kaluara ia kishte qëndisur
thinjtë mbi ballë.
Nga qyteti i një mijë e një netëve
në muzeun e së kaluarës,
e pikturuar me hijen e një gruaje.
Dje ishim “ne”… Eh, dikur.
Sot, portret në muret e kujtimeve.DA🥀

