Hysen Brahimaj meriton çdo dekoratë dhe mirënjohje

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini në bazë të kompetencave të veta si dhe të vlerësimeve të komunitetit dhe të kolegëve, ka ndarë mirënjohje për shtatë qytetarë të komunës së Gjakovës, duke i shpallur ata si Qytetarë të shkëlqyer.

I nderuari i parë me Mirënjohjen “Qytetar i Shkëlqyer” është Hysen Brahimaj, drejtor i shkollës fillore “Dëshmorët e Kombit” në Shqiponjë, ish – Jabllanicë, pasi me angazhimin e tij ka bërë që kjo shkollë të jetë një shkollë moderne, shembull për shkollat tjera jo vetëm në Gjakovë por edhe në tërë Kosovën.

Rexhe Rexha, është nderuar me këtë Mirënjohje, për faktin se si menaxher i projekteve në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e shumë projekteve infrastrukturore, duke u angazhuar personalisht madje edhe jashtë orarit të punës e deri në orët e vona të natës.

Si një punëtorë i dalluar është nderuar edhe Zenun Shabanaj, punëtor i ndërmarrjes Publike “Çabrati”, i cili ka shfaqur angazhim të pashoq, qoftë në mirëmbajtjen e varrezave të qytetit, qoftë në punë tjera në kuadër të ndërmarrjes ku ai punon.

Dorina Lluka Davies nga “YMCA”dhe Eranda Kumnova Baçi nga “IFK” janë nderuar si “Qytetare të Shkëlqyera” falë angazhimit dhe kontributit të tyre në kuadër të shoqërisë civile. Përderisa Lluka – Davies është angazhuar maksimalisht për ndërtimin e Qendrës së Edukimit Jo-formal për Rini në Pjetërshan të Gjakovës, Kumnova – Baçi është njëra prej promotorëve më të fuqishme të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, falë së cilit angazhim komuna e Gjakovës është shpallur si njëra prej komunave më të suksesshme.

Me Mirënjohjen “Qytetar i Shkëlqyer” është nderuar edhe Naim Rrustaj për angazhimin e tij shembullor si pjesëtarë i Policisë së Kosovës si dhe Leonora Bakija, cila është cilësuar si njëra prej punëtoreve më të dalluara në kuadër të Shëndetit Primar në komunën e Gjakovës

Pas ceremonisë së ndarjes së këtyre mirënjohjeve, Kryetari Gjini ka thënë se kjo duhet të bëhet një praktikë tradicionale dhe për çdo vit të nderohet qytetarët më aktiv. Sipas tij, e rritë qytetarinë aktive dhe ndikon tek qytetarët që të kontribuojnë për shoqërinë pa e pasur parasysh interesin individual.

Leave a Reply