Opinion nga Artan Shyti

OPINION – Kriza e sportit, Artan Shyti: Përgjegjësi totale e shtetit, duhet ndryshim urgjent

Artan Shyti, pedagogu i njohur dhe ish-zëv endësministër i sporteve, është i bindur se kriza e madhe e sportit sot vjen për shkak se shteti nuk i ka bërë detyrat si duhet. Ai thotë per Panorama Sport se duhet me urgjencë një paketë e re aktesh ligjore që kanë të bëjnë me taksimin e parave që investohen në sport.

Sporti shqiptar sot është në vështirësi të mëdha financiare sepse:

Së pari shteti në drejtim të financave të sportit nuk bën detyrat që i takojnë. Ato janë:
a. Financimi i sportit nga buxheti i shtetit.
b. Hartimi i bazës ligjore për të siguruar financime ekstrabuxhetore.
c. Monitorimi i përdorimit të parave publike.

Së dyti
a. Ministria e Sportit financonte federatat shqiptare të sportit me 1.7 miliardë lekë grant në vitin 2005. Sot i financon me 1 miliard më pak, pra, me vetëm 700 milionë lekë. Kjo është e papranueshme! Kosova e ka 15 miliardë të njëjtin buxhet. Kjo situatë ka vetëm një shpjegim. Në gjithë këto vite, nga 2005 deri sot, ata që kanë marrë përsipër (pa) përgjegjësinë të drejtojnë sportin në ministri, kanë qenë të paaftë të kundërshtonin pakësimin e fondeve, ndërkohë që gjithë zërat e tjerë të buxhetit të shtetit janë rritur(!!??).
b. Nuk ka një bazë ligjore, që nuk është vetëm ligji i sponsorizimit, por një paketë e tërë aktesh që garantojnë financimin jopublik të sportit. Ky është një tjetër tregues paaftësie për ata që e kanë marrë përsipër barrën e drejtimit, megjithëse nuk kanë “këllqet” për ta bërë këtë. Edhe ligji i sportit është një katrahurë e vërtetë në këtë aspekt.
c. Jam shprehur më parë në gazetën tuaj për batërdinë që bëhet në nivel lokal me lekët e sportit dhe mbetem i mendimit që situata është alarmante me përdorimin e këtyre fondeve publike lokale në drejtimet e gabuara.

Së treti
Federatat dhe Komiteti Olimpik nuk bëjnë asnjë përpjekje institucionale të koordinuar për të ndikuar në përmirësimin e situatës së financimit të sportit. Ata vazhdojnë të pranojnë këtë trajtim skandaloz financiar dhe ankimet e tyre sporadike nuk luajnë asnjë rol në ndryshimin e situatës. Mendoj se reagimi duhet të jetë shumë më i fuqishëm, i koordinuar dhe i argumentuar sepse me këtë situatë që vazhdon prej vitesh, sporti, me përjashtim të futbollit, është i vdekur klinikisht.

Si mund të zgjidhet ky problem?

Nga kjo situatë dilet duke ndryshuar qëndrimin fillimisht. Duke larguar të paaftët që kanë uzurpuar karriget e shtetit dhe bëjnë sehir vdekjen e sportit. Duke bashkuar zërat dhe duke përdorur të gjitha rrugët e ligjshme institucionale për të ndryshuar sjelljen e shtetit në funksion të financimit publik të sportit. Dilet duke hartuar dhe miratuar ligje favorizuese për sportin, të cilat, së bashku me ligjin e sponsorizimit, janë afërsisht 8 ligje të tjera që kanë mbetur në “kantier” që në vitin 2005 dhe nuk janë realizuar dot, sepse kanë rënë në “vesh të shurdhët”.
Dilet duke vënë shtetin përpara alternativës: ose financa aq sa duhet, ose po i mbyllim federatat dhe po shkojmë në shtëpi. A mjafton vetëm ndryshimi i ligjit të sportit për sponsorizimet? Ligji sponsorizimit nuk mjafton, megjithëse, i bërë siç duhet, mund të japë një ndihmë të madhe. Duhet një paketë e tërë aktesh që prekin aspekte të ndryshme të funksionimit të sportit.

Kështu, mund të përmend:

  1. Heqjen e tatimeve mbi ndërtimet sportive private.
  2. Heqjen e taksave mbi menaxhimin e këtyre ndërtimeve.
  3. Njohjen e shpenzimeve për ndërtimin e ambienteve sportive si të zbritshme nga tatimet.
  4. Heqjen e tatimit mbi të ardhurat e sportistëve, trajnerëve e specialistëve të tjerë.
  5. Heqjen e taksave ndaj sportit.
  6. Heqjen e tatimit mbi aktivitetin e klubeve sportive dhe plot ndërhyrje të tjera që rrisin të ardhurat e sportit apo nuk pakësojnë ato ekzistuese

Leave a Reply