Vetëgjykimi-Opinion nga Mr.Florent Selca

V E T GJ Y K I M I

Paradoksi në vendin tonë qëndron tek vlerësimi i injorancës
dhe injorimi i ndershmërisë.

Domosdoshmëria e të vërtetës, për të pavërtetat e mëdha është imediate.

Pse turresh o popull, kur e dini se edhe luftën e kemi nda në LPK dhe LDK.
Pse turreni o popull, kur e keni kuptu se edhe betejat i kanë nda në:
Beteja e Prekazit dhe Beteja e Koshares,
Beteja e Gllogjanit dhe Beteja e Loxhës, ku edhe heronjtë i kemi nda: Ademin nga Agimi, Luanin nga Zahiri, Myrtën nga Salihu.
Pse turremi o popull si me pas ndodhë belaja e me pas ra murtaja.
Lufta u fitua e paqja u skuq nga paturpësia e faqezinjëve, që vlerat humane e kombëtare i kanë konvertuar në antivlera egoiste me epiqender përfitimin personal dhe klanor.
Polarizimi vazhdon.
E po çfarë lufte kemi bo na more, do thoshin disa, po Serbia deri në Itali na kish dërgu po të mos ishte NATO.
Lerëni more, se pa luftën tonë, Kosova si Vojvodina kishte me qenë, thonë këta të tjerët.
Kanë kaluar vetëm 21 vite nga lufta, dhe e vërteta duket aq e mjegulluar, sikurse po flasim për betejat e fiseve Ilire.
E ç’kohë, pa kohë paskim jetuar e po jetojmë, disa jo vetëm që ta vrasin kohën, por ta errësojnë edhe ditën.
Thonë se kur e vret veten, nuk ka kush të hakmerret për ty. Ne nuk kemi arsye për vetvrasje, sepse me shekuj, na kanë vra të tjerët.
“E rëndë qenka lufta”, thosha me vete, ato vite të adoleshences sime, kur shikoja ushtarët tonë, tek orvateshin për liri.
Ishte e dhimbshme, kur e kuptoje se sa pak janë në front, në krahasim me numrin e popullsisë së aftë për luftë që e kishim.
Ata që luftonin, kishin ideal lirinë, ata që i fërkonin duart, në odat e ngrohta, shpresonin që të çliroheshim një ditë.
Mendoja me vete, se kur të fitohet liria, edhe këta që luftuan, edhe ata që përfituan nga kjo luftë çlirimin, do ishin të lumtur, por JO.
Ata që luftuan, një pjesë, vazhduan jetën e tyre normale, një pjesë i hynë rrugës se biznesit e një grup u morën edhe me politikë, e qebesa disa edhe përfituan më shumë se sa që luftuan.
Ata, që nuk luftuan, për arsye nga më të ndryshmet, u sulën me akuza e ofendime ndaj këtyre që luftuan.
Paqja, solli luftën mes grupeve militante dhe pacifiste, lufta filloi, aty ku mbaroi, do thosha unë me këtë rast.
Lufta për para dhe pushtet, po i shtrinte tentakulat e saja në gjithë vendin. Kosova po masakrohej e gjymtosej përsëri, por kësaj radhe jo nga armiku i jashtëm por ai i brendshëm.
Harruam ta ngrisim mirëqenien, përmes forcimit të ekonomisë, harruam t’i forcojmë shkollat, përmes një edukimi cilësor, harruam të kujdesemi për shëndetin përmes spitaleve shpresëdhënëse për një shëndet më të mirë, harruam ta bashkojmë shtetin dhe e lamë në mëshirë të fatit veriun tonë.
E çka nuk harruam, përveq etjes sadiste për para dhe pushtet.
Etiketa e tradhëtarit dhe kriminelit, të ipet si një bakshish i zakontë, ndaj një kamarieri që edhe pse me fakultet, gëzohet nga 20 centshi i bakshishit tënd.
E gojtë e liga, vazhdojnë të flasin, vazhdojnë të qirren dhe të bërtasin, të kacafyten si gjela, për t’i plotësuar egot e tyre, në krahë të një populli të nënshtruar, në kurriz të një populli të krrusur, në emër të një populli që po e humb çdo ditë dinjitetin e vet.
Të quajnë të çmendur, nëse nuk mendon si ata, të përgëzojnë ata tjerët se ju laverdisë qëndrimi yt, por as i pari as i dyti, nuk të vlerësojnë për atë që je, por për atë që ju jep atyre.
Pis Milet, na quanin turqit njëfarë kohe, Krava Narod, na ofenduan serbët, e tani që menduam se erdhi koha të jemi POPULL, prapë na rëndon mbi supe pesha e madhe e popullit milet dhe e kraves narod.
Çmenduni o njerëz, përbuzni vlerat e juaja, se e lirë na paska qenë liria, pak gjak paska thithë kjo tokë, se askush nuk po dojka me qenë i lirë, sepse na ka pushtu robëria e inatit, xhelozisë, pafytyrësisë, për një copë pushtet, për një “leckë” parash.

Ne jemi kriminel, sepse kemi mbi 15 000 të vrarë, nëna, motra e gra të dhunuara, të burgosur e të plagosur. Ne jemi pra kriminela, e ata që na vranë, dhunuan, masakruan, përndjekët e gjymtuan, ata janë viktima.
E sa popull xhelat që paskemi qenë e se paskemi kuptuar, “deri sa erdhi partia e na hapi sytë”, thoshin dikur.

Florent Selca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *