Reagim me vend

Reagim i Hanëmshahe Ilazit e Nusret Pllanës

Në periudhën e viteve 1981- 1999, Serbia fashiste i ka vrarë 1432 fëmijë të Kosovës

Politika jonë ditore i përmend vetëm 1133 fëmijë martirë!!

Çdo ditë që ka falur Zoti, politikanët tanë, të të gjitha niveleve, dalin e flasin çdo gjë që u bie ndërmend. Flasin edhe për Luftën e lavdishme të UÇK-së. Flasin edhe ata që nuk e kanë parë luftën me sy, që kanë jetuar nëpër qendra të ndryshme të Evropës, që edhe e kanë sharë luftën dhe ata që luftonin për lirinë që e gëzojmë sot. Këtë liri që e kemi dhe kjo liri që është.
Flasin edhe për fëmijët e vrarë në këtë luftë, që bota e ka cilësuar si gjenocid ndaj njerëzimit. Por, këta politikanët tanë, herë i harrojnë sa fëmijë janë vrarë, herë tjetër harrojnë sa dëshmorë kanë rënë, së treti harrojnë sa civilë janë vrarë dhe janë zhdukur në këtë luftë, së fundi harrojnë edhe sa gra e motra tona janë dhunuar.
Kështu ishte edhe sot, si gjithnjë dhe si përherë, se TV-të tona dhe shtypi ynë janë vetëm për politikanët e ditës. Sot u tha se janë vrarë 1133 fëmijë, madje edhe nga vet Kryeparlamentarja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, duke harruar TV -të tona që kanë marrë vet pjesë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, më 18 Nëntor 2019, në promovimin e librit Fëmijët martirë të Kosovës 1981 – 1999, nga i cili libër me fakte të pakontestueshme shkencore, dëshmohet vrasja e 1432 fëmijëve të Kosovës nga Serbia fashiste.
Në të vërtetë ku ta dinë (politikanët tanë) ata, sa fëmijë i ka vrarë lufta për lirinë e Kosovës?!. Kur as nuk kanë dëgjuar, as nuk kanë lexuar edhe librat që janë shkruar, edhe dokumentarët që janë xhiruar, të cilët janë promovuar edhe në SHBA e në Kanada, por edhe në shumë qendra të Evropës. Doemos janë përuruar edhe në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, janë shfaqur edhe në Kosovë dokumentarët e tillë, por politikanët tanë nuk kanë as kohë, as kurreshtje as interesim për të marrë pjesë, për të shfletuar libra të tillë, e të mos flasim se kurrë as nuk janë lodhur ta japin një lek për botimin e tyre.
Edhe njëherë po ua kujtojmë e rikujtojmë edhe politikanëve tanë, edhe opinionit vendor e ndërkombëtarë se, emrat e 1432 fëmijëve martirë të Kosovës, i keni në librin monografi Fëmijët martirë të Kosovës 1981 – 1999, të autorëve Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana – të botuar në shqip dhe anglisht.
Për kurreshtjen e atyre që duan ta kenë, librin mund ta gjejnë në Libraritë ARTINI dhe DUKAGJINI, në Prishtinë.

Leave a Reply