Lideri Albin Kurti zhvillon takime me rëndësi

Fama edhe ndikimi i Shkollës së Frankfurtit në gjysmën e dytë të shekullit XX do të mund të tejkalohet nga Shkolla e Lubjanës në gjysmën e parë të shekullit XXI. Shkolla psikanalitike e Lubjanës tashmë është ndër orientimet më origjinale dhe të frytshme filozofike, e cila bazohet në leximin e Jacques Lacan-it nëpërmjet G.W.F. Hegel dhe anasjelltas. Alenka Zupančič është njëra ndër përfaqësueset e këtij orientimi teorik, por në të njëjtën kohë, edhe ndër filozofet dhe psikanalistet teorike më produktive të kohës sonë. E doktoruar në Ljubljanë në vitin 1995, dhe në Université Paris VIII në vitin 1997, Zupančič është hulumtuese në ZRC SAZU në Lubjanë, dhe profesoreshë ne European Graduate School.

Kur ishte në Prishtinë para dy vitesh, ne fatkeqësisht nuk arritëm të takohemi fizikisht, por dje pata një diskutim me profesoreshën, me të cilën biseduam për zhvillimet e fundit në Kosovë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgatitjet tona për zgjedhjet e radhës, programin dhe planin e Qeverisjes tonë Alternative, për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Kosovë e Slloveni, situatën politike në rajon, si dhe për punën e saj filozofike e të kolegëve të saj më të afërt, Slavoj Žižek e Mladen Dolar.

Zupančič ka botuar shumë libra, në gjuhën angleze janë përkthyer: Ethics of the Real: Kant, Lacan (2004), Why Psychoanalysis: Three Interventions (2008), The Shortest Shadow: Nietzsche’s Philosophy of the Two (2002), What IS Sex? (2017).

Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ne do të vazhdojmë kontaktin tonë të rregullt.

Leave a Reply