Reagim nga z.Gazmend Syla

Të dashur qytetarë,

Në takimin që e kisha mbrëmë me miq e dashamirë në Rashiq të Pejës, dikush për arsye që mund t’i merrni me mend e ka nxjerrur nga konteksti një deklaratë timen ndaj u.d të presidentës, znj. Vjosa Osmani.

Në një pjesë të videos është shkëputur fjalia ku unë znj. Osmani i referohem si e “trashë”, ndërsa nuk pasqyrohet i tërë fjalimi, ku unë “trashësinë” e saj e shpjegojë me trashësinë mendore, duke aluduar në deklaratën e saj të mëherëshme kur thotë se ka qenë “e manipuluar” nga LDK në kohën kur e kishte sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje!.

Prej nga vijë unë, pra nga Dukagjini, kur dikush manipulohet e mashtrohet, i themi se qenka treguar i/e trashë. Si rrjedhojë e kësaj, unë asnjëherë nuk kam pasur për qëllim talljen e fizikut të znj. Osmani. Ata që e shkëputën fjalimin për të më pasqyruar qëllimshëm keq në ketë kohë të zgjedhjeve, nuk e morën mundin që së paku të më kontaktojnë për të dhënë edhe unë shpjegimin tim. Kaq për profesionalizmin e disave dhe kaq për keqkuptimin.

Si baba i dy fëmijëve, Lisës dhe Gertit, mundohem që çdo ditë të jem shembull për ta e në çdo rrethanë ta luftojë bulizmin. Ata që më njohin, e dinë shumë mirë se aspekti fizik i ndokujt nuk është karakteristikë e gjykimit tim. Unë përfaqësoj dhe kam shokë të mirë që në luftë i kanë humbur gjymtyrët dhe nuk mundet ndonjë dashakeq të më pasqyrojë kaq ultë brenda ditës.

Për hir të informimit korrekt të publikut e në mënyrë që të shmang keqkuptimet tjera, e mora mundin të sqarojë deklaratën time të djeshme.

Znj. Osmani e kujtdo tjetër i kërkoj ndjesë për shqetësimet eventuale, me shpresë se i kuptojnë tashmë nxjerrjet nga konteksti që kohë pas kohe i bëjnë dashakëqinjtë.

Duke shpresuar në fushatë korrekte, i bëj thirrje miqësore mediave në vend që të jenë më të kujdesshëm e korrekt në transmetimin e lajmeve. Nuk jemi vetëm ne kandidatët për deputetë e politikanët që po afektohemi, por edhe familjet tona.

Me respekt,
Gazmend Syla

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *