Lajm i mirë nga Amerika

Edhe një lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor vjen nga SHBA

Duke e parë rritjen e ndikimit të fuqive aziatike në Ballkanin Perëndimor me në krye Rusinë destruktive, SHBA-të kanë ndërmarrë një nismë gjithëpërfshirëse që synon orientimin e rajonit tonë kah BE, NATO dhe SHBA.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve tanimë na vjen edhe një lajm i mirë nga SHBA lidhur me zhvillimin ekonomik, rendin dhe shtetin ligjor për të hapur një perspektivë të re edhe për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fjala është për projektligjin e paraqitur këto ditë nga një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët (demokratët dhe republikanët), që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacionit të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në rajonin tonë.
Kjo nismë vjen në kohën më kritike për vendet e Ballkanit Perëndimor, marrë parasysh synimet ruse në rritje, pas agresionit në Ukrainë, për të destabilizuar dhe shtrirë konfliktin edhe në këtë pjesë të Evropës.
Nëpërmjet kësaj nisme, amerikanët mbi të gjitha synojnë të vendosin baza të shëndosha demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u hapur rrugë integrimeve më të gjëra euro-atalantike.
Kjo nismë duhet mirëpritur nga institucionet relevante të vendeve të Ballkanit Perëndimor, parë si e qëlluar dhe mbështetur.
Si deputet i Kuvendit do ta ofroj gatishmërinë personale për jetësimin sa më të shpejt të kësaj nisme në Kosovë, për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Xhavit Haliti deputet i PDK