Shkrimtarja Elvira Zeneli kujton Rilindasin e shquar Sadri Këlmendin
Elvira Zeneli
JETË SHKRIMTARËSH
Sot me 28 maj 2025 bëhen 14- të vite të ndarjes nga jeta të prof. Sadri Kelmendi.
Njohja me jetën dhe veprat e poetit Sadri erdhi krejt rastësisht.
Ishte nëntor. Atë ditë me një grup miqsh do të shkoja të vizitoja Panairin e librit. Pasi kaloj stendat me radhë në katin e parë, ngjitem shkallëve për në katin e dytê. Ndaloj në stendën e patriotit tim poetit të njohur matjan Fatmir Gjestila. Përshëndetemi dhe fillojmë menjëherë diskutimin për librin dhe poezinë. Poetin Fatmir e shoqëronin edhe miqtë e tij nga Kosova. Në bisedê e sipër zgjedh disa libra tê zhanreve të ndryshme për ti blerë. Poet Fatmiri mi bëri dhuratë. Me modesti e falenderoj dhe i them; urdhëro një kafe nga ana ime si matjane dhe si kolegë që jemi, duke i zgjatur një vlerë simbolike monetare.
Në këtë moment miku nga Kosova të cilin aty e njoha për të parën herë, më zgjati dorën me disa libra dhuratë të shkruara nga babai i tij prof. Sadri Kelmendi, si dhe një revistë që titullohej “Zog mëngjesi” e ideuar nga prof. Sadriu. Të jem e sinqertë nuk e kisha njohur më parë poet Sadriun. Pasi konsumuam një kafe me miqtë tanë, mora vesh se miku i Kosovës ishte djali i shkrimtarit Sadri. Z. Agim Kelmendi, tani ishte drejtori i revistës “Zog Mëngjesi”.
Fliste me shumë dashuri dhe krenari pêr babain e tij.
Pasi përshëndetemi me miqtë nga Kosova, vij në shtëpi dhe filloj e shfletoj revistën “Zog mëngjesi”. Çdo rubrikë e saj ishte e veçantë. Më pas nis të lexoj romanin “Etje për dashurinë e humbur”, autor Sadri Kelmendi, i cili më pëlqeu shumë si dhe librat e tjerë që mi dhuroi drejtor Agimi.
Pasi i mbaroj së lexuari librat e prof. Sadriut, nis të lexoj një tjetér roman me titull ” Zogu i Agut të Bardhë” i autorit Fatmir Gjestila. Ngjarjet i përkisnin kohës së luftës në Kosovë.
Fillonte me një përshkrim të bukur të vendeve, luginave si dhe maleve, por të emërtuara me emra të miteve dhe legjendave.
Që në faqet e para, romani të mban mbërthyer me historinë reale të jetës së prof. Sadriut e të familjarëve të tij si dhe të bashkëpunëtorëve të ngushtë mësuesve ose siç i quan autori në libêr (mendareve) gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sakrificat e asaj kohe për të mbajtur gjallë zërin e fëmijëve me krijime si dhe për ta përcjellë atë revistë në çdo shkollë edhe në skajet më të thella të vendit ose mësonjëtoreve siç i quan autori. Dihet se ardhacakët e egër siç i quan autori në libër (ushtarët serbë) nuk lanë gjë pa bërë në Kosovë, duke vrarë gra e fëmijë, mësues e mësuese, pleq e plaka, të rinj e të reja, duke bërë një terror të egër që t’a gjunjëzonte popullin shqiptar të Kosovës, por ato kurrë nuk u tërhoqên dhe as nuk u trembën nga asnjë lloj masakre çnjerëzore që u bë ndaj tyre.
Torturat e prof. Sadriut dhe vrasja e fëmijëve në shtëpitë ku shkonin dhe mësonin si dhe e mësuese Leditës e cila ishte edhe shtatzënë dhe e mësues Artonit siç është e shkruar në libër, nga ushtarët serbë nuk e ndalën të shkruante revistën dhe ta dërgonin atë kudo nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Gjithashtu edhe bashkëshortja e prof. Sadriut e cila ishte një grua jo vetëm e bukur si një rreze dielli, që kushdo që e shikonte dukej si një zanë mali, por edhe e fisme e cila me tre fëmijët e saj ishin mbështetje e madhe për prof. Sadriun.
Tre fëmijët e tij Agenori ( Agimi), Dija ( Lidije) dhe Earta ( Arta) sakrifikojnë jetën e tyre duke u munduar të gjejnë materialin për të bërë revistën, për t’ja lehtësuar sa do pak shqetësimin e madh që prof. Sadriu kishte.
Gjithashtu autori pershkruan mjaft bukur edhe lahutën e malësisë, këtë instrument kaq të veçantë të popullit tonë.
Kur prof. Sadriu bie në duart serbëve dhe torturohet, ai merr lahutën dhe këndon, duke ua bërë të qartê që ne nuk mposhtemi, ne këndojmë dhe ju vrasim jo vetëm me plumba, por me vargjet dhe me folklorin tonë të bukur që kemi.
Edhe kur ushtarët serbë rrethojnë kullën e heroit tonë Adem Jashari, aty buçet lahuta jonë përveç plumbave të cilët nuk u dorëzohen kurrë as bacë Ademi dhe as prof. Sadriu.
Kur pyes një koleg timin nga Prishtina për profesorin më thotë këto fjalë; Sadriu ishte i vendosur në atë që thoshte, ai nuk tërhiqej nga fjala derisa ta arrinte qëllimin. Shkrinte veten dhe gjithçka për gjuhën shqipe, kulturën, folklorin tonë të pasur, që ta ruante e ta përcillte ndër breza.
Rastësisht duke pyetur për prof. Sadriun takoj një ish nxënës të tij i cili më flet me shumë mall dhe dashuri për të; Ah, e kujtoj si sot mësuesin Sadri, vazhdon rrëfimin e tij ish nxēnêsi, kur na shpjegonte me shumë dashuri shkronjat e gjuhës shqipe. Sakrificat dhe luftën e popullit shqiptar ndër shekuj për ta mbajtur të gjallë gjuhën tonë.
Kur i shkruante fjalët në dërrasën e zezë shpeshherë na thoshte; shkruani bukur çdo shkronjë, duke e rrumbullakosur çdo vijë të saj bukur, sepse nëse ne nuk i shkruajmë bukur, ato zemërohen (shkronjat) dhe ju dhemb trupi, ashtu sikurse neve kur vritemi.
Kujtonte cdo fjalë të tijën dhe këtë gjë thoshte ish nxënësi i prof. Sadriut, ua kam përcjellë edhe nxënësve të mijë.
Rastësisht duke biseduar me një koleg timin nga Deçani, e pyes nëse e njihte prof. Sadri Kelmendin. Jam rritur me revistën e tij, – më tha. Revista Zogmëngjesi Mollëkuqja janë revista që i themeloi prof. Sadriu. Por përveçse me revistën e tij, prof e njoh edhe nga nēna ime. Ajo e kishte kushëririn e saj të parë (djalë daje). Nëna na fliste për shkollimin e tij dhe misionin që prof. Sadriu i kishte vënë vetes, për të përçuar dijen, kulturën, mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit shqiptar ndër vite, tek fëmijët tanē. Ishte i papërtueshëm dhe i palodhur. Nëna na tregonte edhe kur prof. Sadriu vinte në fisin tonë në ahengjet që bënim, dhe të gjithë i mblidheshim rreth e rrotull ta dëgjonim kur Ai tregonte histori të ndryshme, etj etj.
Gjithashtu regjimi serb e kalonte nga një shkollë në tjetrën, me qëllim që të mos zinte miqësi të forta nēpër shkollat ku shkonte dhe e largonte sa në një shkollë në tjetrën.
Por kjo gjë nuk e pengon prof. Sadriun për të vazhduar misionin e tij, as atëherë dhe as në kohën e luftës.
Prof. Sadriu la gjurmë të thella në letérsinë tonë si për fëmijë dhe për të rritur, gjithashtu dhe në studime gjuhësore, prandaj Ai do të jetojë gjithmonë me veprat e tij, që janē thesare të letërsisë sonë!
Prof. Sadriu duhet të hyjë me veprat e tij edhe në programet parashkollore dhe shkollore, gjjthashtu meriton të nderohet nga të gjithë ne!
MIRËNJOHJE dhe RESPEKTE jetës dhe veprês së tij, që ja kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave!