Nga e mirënjohura poete Elvira Zeneli -Imazh i heshtur
Poezi nga Elvira Zeneli
IMAZH I HESHTUR
Shpeshherë, mes acarit të jetës, qava me lot trishtimi,
Në natën me hënë, heshta për ta vrarë dhimbjen,
Në udhëkryqet e jetës jam rrëzuar, vrarë e gërvishtur,
Me mish e me shpirt, me thonj jam tërhequr dhe ringritur…
Librin e jetës nisa e shkrova,
Ndonëse zemrën e zhvesha prej gjithçkaje.
Preka gëzimin, trishtimin dhe të vërtetën,
I thashë të gjitha sa herë qava e qesha.
Në ballkonin e shpirtit u ula e heshta me mendimet e mia,
Sepse aty lindin dëshirat e merren vendimet,
Aty, ku ringjallet besimi i vrarë,
Ditët që fluturojnë në krahët e shpresës.
S’më lë jeta të takoj vetēm ty,
Me kafshatën tënde shpirtin e mbuloj.
Mallin tënd më duhet ta nxjerr prej gjoksi,
Ta mbyll vjeshtën dhe dimrin në ngrohtësi.
Mos mendo, se jeta është varur tek ti,
Bardhësia po udhëton drejt meje.
Jam zgjuar me etje,
Në këtë natë, kur hëna është e plotë, pesëmbëdhjetëshe,
Shikoj imazhin e lumturisë sonë të përjetshme….