Poezi nga Çlirimtari Genc Sefa

NË QELINË KU S’NDALET ZEMRA

Edhe sonte s’më merr gjumi,
n’qeli të ftohtë, në errësirë.
Nji kujtim mendjen ma shkundi,
e m’çoji pashpirt, pa mëshirë.

Mbi mure heshtja varet plumb,
as frymë s’dëgjohet n’korridor;
veç hapat e natës si ushtimë
ma trazojnë zemrën përmbi dorë.

Diku shkruhen emrat e harruar,
përtej murit, dritat ende s’jan shuar;
por në mua vlon gjaku i Arbërisë,
si prush që s’ftohet prej acarit t’qelisë.

E di: liria s’asht dhuratë,
as jeta rrugë pa plagë e dhimbë;
por n’këtë qeli ku rrin terri,
mendja ime shndrit si shkëndijë.

Dhe s’dridhem; jo! S’ia kam frikën,
as natës, as prangave që kërcasin;
se shpirtin tim s’e ka mposht kush,
që prej ditës kur për flamur u ngjita monopatit.

Përtej kësaj dere me hekura të rënd,
qëndron nji tokë, e ëmbël si ëndërr;
ajo m’mëson si t’rrij i fortë n’vetmi,
dhe mos me u mposht kurrë në robëri.

Ndaj le të vijë nata me të gjitha
hijet e saj që më vërsulen;
asnjë nuk m’ban më të dobët,
përkundrazi, më ngrihet shpirti n’kulëm.

Se s’ka qeli që mbyll betimin,
s’ka terr që e mbyt nji të vërtetë;
atë që njeriu ia flet vetes,
për Atdhe – për dritë – për jetë.

Dhe sonte prap s’po m’vjen gjumi,
por kjo s’asht mallkim, as plagë që vlon;
asht kambanë që m’thërret prej brendësisë,
me mos me u nda prej rrugës së lirisë.

Kështu, n’qeli ku muret heshtin,
ku acari hyn si bishë e egër,
unë rri e shkruaj në zemër gurë:
Liria lind prej gjakut të Atdheut,
e njeriut që s’u mposht kurrë.


Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu Idrizovës, 24 Nëntor 2025 🦅🇦🇱