Një shkrim nga znj.Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Shkrimi im i kushtohet mësuesit Gjokë Dabaj.
Gjokë Kolë Dabaj u lind në Stamboll, Republika e Turqisë, më 25 shkurt 1938. Është rritur në rrethinat e Ulqinit dhe Tivarit, Republika e Malit të Zi. Shkollimin 4-vjeçar fillor e mbaroi në Dedanj të komunës së Tivarit. Shkollën e mesme normale (të mësuesisë) e filloi në Prishtinë dhe e mbaroi në Gjakovë e Prizren. Ndërsa në vitin 1971 në Tiranë përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë shqipe e letërsi.
Pas arratisjes se tij nga ish jugosllavija kreu për gjuhë letersi në Tiranë në vitin 1971.
Gjithmonë i kam kujtuar me dashuri mësuesit e mi. Ata ishin pika ime e referimit dhe i shihja me admirim”.
Lidhja ime me mësuesit/et ka qenë e veçantë.
Serioziteti në punën e tyre na bënte t’i respektonim edhe më shumë mësuesit tanë. Mësimdhënia e tyre ishte për t’u admiruar, sepse ata me durim, ditën të skalitnin thellë në mendjen tonë, konceptet bazë të lëndëve. Me artin e fjalës bënin që sytë dhe mendja jonë të ishte aty në klasë duke përthithur çdo fjali. Metodat që përdornin ishin shumë efikase dhe jepnin rezultate pozitive. Respekti që kam për gjithë plejadën e mësuesve të mi nuk venitet, përkundrazi, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ky respekt ngrihet në majat më të larta. Këta mësues kanë lënë gjurmë të thella në formimin tim.
Në mendje kam edhe mësuesin e letërsisë në gjimnaz Gjokë Dabaj, tê cilin nuk e harroj kurrë jo vetëm unë, por të gjithë ato nxēnës që patën fatin e mirë ta kishin mësues, si dhe i gjithë komuniteti i zonës së Klosit dhe Matit.
Prej një çerek shekulli mësues Gjokê Dabaj jeton me familjen e tij këtu, në hapësirën Durrës-Shijak-Tiranë.
Në një bisedê me të ja si shprehet për fqinjët; – me fqinjët që i kam rretherrotull, ndjehem si të isha pjesëtar i këtij fshati denbabaden. Gëzime e hidhërime i kemi bashkë dhe, kur largohemi prej shtëpie, nuk kemi nevojë ta mbyllim portën me dry.”
Mësues Gjokën dhe Fitininē ( bashkëshorten) edhe ajo mësuese e mrekullueshme në tetëvjeçare e donin të gjithë nxënësit e saj dhe komuniteti i zonës, për qetësinë dhe maturinë e saj në kujdesin që kishte ndaj nxënësve dhe gjithkujt. Familja e tyre sikur ishte rritur me ne, sepse përveçse që i kishim mësues por ishim edhe komshinj.
Në një takim rastësor në bibliotekën kombëtare të Tiranës takoj mësuesin tim Gjokë Dabajn. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm qê e takova dhe e pyes nëse mund ti kujtohesha se cila jam! Po, – më përgjigjet,- je vajza e Isufit, Elvira. O Zot e përqafova me shumê mall dhe akoma më shumë që nuk më kishte harruar edhe pas 30-të vitesh tê mbarimit të gjimnazit.
– Për Matin ç’të ka mbetur në kujtesë? – e ndërpres jo pa emocione.
“Mbeta prapë i tëri i Matit! Mbeta i tëri i Matit dhe për Matin, sepse shpirti i njeriut nuk është si një copë gur që, kur ta kesh lënë në një vend, ai të mos mund të gjendet njëkohësisht edhe në një tjetër vend.
Me Matin mua më është lidhur pjesa më e rëndësishme e jetës, sepse ka qenë puna e atillë. Të jesh mësues dhe sidomos të jesh i vetëdijshëm se je mësues, do të thotë që pjesë të mendjes tënde, pjesë të moralit tënd dhe pjesë të edukatës tënde, deri te mënyra e të folurit, të ecurit apo të qeshurit tënd, do të kalojë, do të interferojë te qindra nxënësit e tu. Midis masës së nxënësve dhe mësuesit, veçanërisht kur kalon një kohë të gjatë midis tyre, krijohen marrëdhënie shpirtërore aq të pashkëputshme, sa ata i merr malli për njëri-tjetrin, sikur të ishin pjesëtarë të së njëjtës familje. Tani, një pjesë e tyre janë mbi 50 vjeç, por mua pandërprerë më ngacmon kërshëria ta dëgjoj kur më flet për ish nxënësit e tij, midis tyre edhe unë. Por për mua e di që jam mësuese në Tiranë.: Çfarë arsimi të mëtejshëm kanë marrë, si u ka shkuar jeta në familje, ç’fëmijë kanë, ku jetojnë, në Atdhe apo diku nëpër botë? I kujtoj kur i kisha në klasë. Përveç teje në klasë që merrje pjesë në konkurset e letërsisë në shkollë dhe jashtë saj, gjithashtu një shkruese e veçantê e hartimeve, të cilat i lexoja dhe i rilexoja me shumê dëshirë. Prit se kujtoj një hartim me të cilin të kam vlerësuar me këto fjalë: ” Sikur të bēje nja njëzet rrëfime të tilla, Ju do bëheni një shkrimtare e njohur”, mendoj se ja kam qëlluar. Ju po shkruani dhe tani po ju njohin shumê shkrimtarë, gjithashtu lexova se ju kemi redaktore për Shqipëri në revistën “Zogmëngjesi”, e cila është e themeluar në Prishtinë nga prof i nderuar Sadri A. Kelmendi dhe vazhdon ta cojë përpara djali i tij Agim S. Kelmendi. U habita nga biseda e tij nga informacionet e sakta që kishte lexuar. Por, vazhdon bisedën mësues Gjoka, në klasë kishim edhe Anila Shahinin një vajzë ambicioze e cila sot është një ndēr kardiologet më të mira që kemi dhe drejtoreshë e një poliklinike në Tiranë.
Krenohem me ata që kanë arritur diçka në jetë dhe përjetoj një lloj mburrjeje, se edhe unë kam sado pak meritë në sukseset e tyre. Ndjej dhimbje kur dëgjoj që ndonjëri s’është atje ku duhej të ishte apo që, në këtë kohë të vështirë, ka rënë në varfëri. Tërësia e nxënësve të mi, që të gjithë të trevave të Klosit, përbën për mua një familje të madhe.
Vitet që i kaluam në Fullqet, në fshatin Fshat dhe në Klos, janë plot e përplot me mbresa. Aty përpunova metodat e mia të mësimdhënies, i përsosa nga viti në vit metodikën dhe pedagogjinë time vetjake dhe arrita ta konsideroj veten specialist të kësaj fushe, ashtu siç e konsideron veten specialist të fushës së tij një inxhinier. Punova shumë me bibliotekën shkollore, aty ishe edhe Ti me Anilën ku ju jepnit libra nxēnësve dhe shikonim kartelat sa libra ka lexuar secili nxënës. Për të gjithë nxënësit e mi duhej të ishte ara që duhej korrur ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj e vit për vit. Punova me rrethin e letrarëve të rinj, punova me recituesit, me grupet atistikë dhe me teatrin e nxënësve, bashkë me Fitor Muçën, Avni Hoxhën e kolegë të tjerë.
Janë kolegēt tuaj dhe ish mësuesit tanë, të cilët i kujtoj gjithmonë. Ishte fati ynë dhe i asaj shkolle, që kishim një drejtor me fuqi e vullnet titanik, i cili nuk dinte ç’është lodhja. Dhe ky ishte miku im me vlera të mëdha, Ahmet Çollaku.”
Vërtet ishim një shkollë e shkëlqyer i them, madje kujtoj kabinetet tona ku zhvillonim lëndët mësimore, gjithashtu arrtijet e asaj shkolle dukeshin edhe nga falenderimet që vinin nga Universiteti i Tiranës nga nxënësit tanê që shkëlqenin atje.
Heshti për një çast, por pati edhe shumë për të thënë.
“Dëshira pa fund! Punë pa fund! Të meta dhe pengje pa fund! Asnjë orë mësimi nuk kalonte pa një merak: Ah, si gabova aty! Ta kisha thënë ndryshe! Ta kisha bërë ndryshe! Disa nga pengjet më shoqërojnë edhe sot e kësaj dite. Lidhja jonë e ngushtë me banorët midis të cilëve jetonim, nuk u manifestua vetëm në aspektet që kishin të bënin me shkollën dhe me edukimin. Lidhja jonë dhe shkrirja me ata banorë të Kryemates u shpreh në të gjithë spektrin e jetës, deri edhe në ekonomitë tona familjare. Ne ishim familje me pesë fëmijë dhe shpesh na ndodhte që, në fund të muajit të na mbaroheshin lekët. Në të tillë raste, kujtdo që t’i drejtoheshim, do të na i huazonte aq para sa na duheshin. E ndërpres, prit se unë kujtoj kur neve nuk na e jepnin televizorin për shkak se ishim me biografi të keqe, ngaqê gjyshi im nga ana e mamit ishte arratisur nga Shqipëria dhe, ne vinim e shikonim televizor nê shtepinê tuaj dhe Fotinia kujdesej kur na zinte gjumi nê shtepine tuaj. A nuk është ky një shembull që, përveç në Shqipëri, askund ose rrallë në botë mund të haset?! Si mund të harrohet një zemërgjërësi e tillë e pashembullt? Dhe, përballë një të tillë zemërgjërësie, a mund të mos ishim edhe ne korrektë për gjithçka?!
Mësues, nuk e harroj ditën kur më erdhēt në shtëpi me mësuesen Fotininë, pasi unë e kisha mbaruar gjimnazin dhe, ishim larguar nga Klosi me shtepi dhe, ishim vendosur nē Durrēs.
E kujtoj si tani, po punoja në lokalin e mikut tonë si guzhinjere gjatë pushimeve verore, ngaqë gatimin e kam pasion dhe, vjen në guzhinë miku ynë e më drejtohet me këto fjalë: – Eli, e di kush ka ardhur?, pyeti pêr familjen tuaj dhe pikërisht për ty?
- jo, i them as qê e kam idenë.
- shiko kush do hyjë, po e fus brenda në guzhinë.
Uaaauu, mësues Gjokë dhe mësuese Fotinia!
O Zot, nuk di si ta shprehja atë gëzim, vlerësim i madh e i papërshkruar, të vijnë mësuesit e tu dhe të interesohen se ku banon dhe për cfarë e vazhdoja shkollën e lartë. O Zot!
Eh, të kujtojmë gjithmonë me Fotininë moj Eli, – shprehet mësues Gjoka. Atë vajzën e ëmbël, të dashur, qê studjonte me shume zell e pasion, që shkruante, recitonte dhe kēndonte. Këto fjalë më kthyen vite pas, në atë vajzën lozonjare dhe plot ëndrra.
– Zyrtarisht, shtetërisht për punën që keni bërë, – e pyes në vazhdim, – sa stimuj, tituj apo dekorata zotëroni, me vulë e me firmë ?
“Edhe unë po të pyes ty: “A ka stimuj e dekorata më të bukura se të ruash të këtillë kujtime nga vendi ku ke punuar?” Megjithatë, para vitit 1990 mua më janë dhënë: një medalje “Naim Frashëri” dhe një çmim i dytë në shkallë rrethi për një novelë që e kisha paraqitur për konkurs. Kemi marrë herëpas’here, edhe Fotinia, edhe unë, fletë nderi, të cilat u jepeshin në atë kohë punonjësve më të dalluar. Ndërkaq, në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më është akorduar titulli “Qytetar nderi” i Bashkisë së Klosit.
Por nuk do harruar një e vërtetë. Unë kisha kryer veprimtari ilegale në Kosovë, në Ulqin e në Tivar. Në gjyqin që u është bërë shokëvet të mi, anëtarë të grupit ilegal “Liria”, vetëm në pretencën e prokurorit, emri im përmendet më shumë se 30 herë, (e kam atë dokument). Njerëzve të tillë UDB-a ka arritur t’u vërë prangat edhe këtu, në shtetin shqiptar. Dënimi i tyre, pa dyshim, ka qenë vepër e zbulimit jugosllav me anë të shërbëtorëve që i kishin në Ministrinë tonë të Brendshme dhe në organet e tjerë. Por, në rastin tim, dora e UDB-s nuk arriti të zgjatet deri në Mat dhe unë për këtë u jam mirënjohës pikërisht matjanëve, të cilët në mënyrën e vet më kanë mbrojtur. U jam mirënjohës gjithashtu edhe atyre kuadrove, të cilët kanë pasur në dorë për të më bërë keq edhe mirë, por ata, për arsye që vetë ata i dinë (ose i dinin, sepse mund të mos jenë më gjallë), zgjodhën për të mos më bërë keq.
Arrita kështu në këtë shkallë pleqërie. Mati ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në shpirtin e ne të dyve si bashkëshortë, por edhe te fëmijët tanë, që u lindën dhe u rritën në atë ambient të mrekullueshëm njerëzor dhe natyror. Një meritë shumë të madhe, në mjaft raste vendimtare, në të gjitha këto që thashë, ka, sigurisht, edhe shoqja ime e jetës Fotinia, bashkëkrijuesja e familjes dhe koleg‘ja ime më e afërt në punët tona, si mësues/e dhe si edukatorë, në Klos dhe në të 14 fshatrat e Kryemates.”
Nuk ka dyshim se në historinë e letërsisë shqipe, për kontributin e çmuar që ka dhënë e jep në gjininë e prozës, poezisë dhe letërsisë dokumentare, Gjokë Dabaj zë një vend të vlerësuar.
Ky, pra, është mësues Gjokë Dabaj, figurë dinamike, pasionante, atdhetare dhe patriotike. Siç shihet, gjeografia e jetës dhe e veprimtarisë së tij krijuese është mëse e larmishme, vlerë dhe çmim, që kujtesa dhe historia e vlerësojnë dhe do ta çmojnë.

