Kryetari i LB Valon Murati ngushëllon kombin për vdekjen e baces Osman Zhitia

Na la edhe Osman Zhitia apo siç e thërrisja unë – daja Osman! Çfarë jete! E tëra në shërbim të lirisë e frymëzimit për luftë çlirimtare. Si baba i dëshmorit Afrim Zhitia, një prej figurave qendrore të rezistencës kundër pushtuesit, ai dhe shtëpia e tij vazhduan të jenë frymëzim edhe për gjeneratat e ardhshme të luftës çlirimtare. Prej vitit 1994 kur për herë të parë isha në shtëpinë e tij, përmes nipit të tij Liburnit, së bashku me shokët e tjerë Agimin e Dritonin, daja Osman do të mbetet për ne pikë reference e rezistencës së vazhdueshme të popullit tonë për liri. Gjatë luftës çlirimtare, shpesh na ka vizituar në Llapashticë, Agimin, mua dhe shokët e tjerë. Ka qenë ndër njerëzit më të lumtur në botë për luftën çlirimtare, uniformën e UÇK-s dhe optimist i papërmisueshëm në fitoren tonë. Tri shkronjat UÇK i ka pasur dobësi siç shihet edhe nga fotot. E ka dashur shumë Fehmi Lladrovcin me të cilin kishte shumë dëshirë që me uniformën e UÇK-së të dilte në foto si shenjë se lufta e Fehmiut me shokë po vazhdon. I përjetshëm qoftë kujtimi për dajën Osman. Liria do të ishte e largët pa njerëz si daja Osman.

Leave a Reply