Nga e mirënjohura Dalinë Arifi
Pak mall
Erdha, qyteti im, erdha,
me hjekë mërzinë e me marrë pak aromë.
Erdha me t’i pa bukuritë e me shue dhimbjen,
po shëtis kalldrëmeve e po hjek mall.
Pak mall po marr me vete.
Erdha e s’po e gjej dot atë copë zemre
që tek ti e lashë.
M’u desh shumë kohë, vite me ardhë,
me kërku cep më cep të qytetit dashninë,
atë dashni që e lashë për një çindarkë,
po, për më pak se një çindarkë.
Sot po marr pak mall, si i vdekun në prag të saj.
Ah, qyteti i studimeve, orët e tua të largëta,
dikur një studente e jotja me libra në dorë,
sot si një e huaj me mallin mbi kurorë.
Ëndrra ime e patretur në sytë e mi,
prapë tek ti vij e vij,
me njoftë dhimbjen, me shue pak mall.
Unë, pas kaq shumë vitesh,
takat e mërzisë mi kalldrëmit tënd i trokas.
Pak mall, pak erë dashnie, e po ik,
po ik kur të përfundoj këtë kafe,
po tretem andej në një botë pa diell.

