E diela poetike nga Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

Valët e Hënës dhe Zemra e Yjeve

Në agim zgjohem me imazhin tënd,
rrezet e para të diellit na puthin qafën.
Hëna na vështron butësisht,
dhe yjet dëgjojnë heshtjen e bisedave tona.

Ndahemi pa zhurmë, të qetë,
por mesazhet tua mbeten si shkëndija në shpirtin tim.
Flet, qesh, dhe herë pas here më thua
se mbytesh brenda meje, si erë që rrëmben gjethet.

Ëndrrat thurin rrugë për ty,
sytë e mi të gjelbër shndrisin si yjet në natën e kthjellët.
Ti je e imja… vetëm e imja,
dhe zemra dridhet… a të besoj?

Mëngjeset me shi më zgjojnë mall,
përqafimet tona tani janë si gjethe të rëna, të thara.
Thonë se dashuria nuk plaket…
por unë shoh pasqyrën tënde të copëtuar,
dhe kujtoj ditët kur gjithçka ishte e përjetshme.

Sikur lumi të ishte dashuri,
do të zhytesha në thellësi të tij,
do të notoja mes valëve të lumturisë,
dhe jeta do më dhuronte kurora prej dritëhije.

Ah, sikur qielli të ishte dashuri,
do bëhesha pulëbardhë dhe do fluturoja mbi fushat e pafundme.
E nëse pluhur do bëhesha,
era do më ngrinte mbi horizontin e ëndrrave.
Zemra do ndizet me shkëndija të fshehta,
dhe jeta do merrte frymëzim të ri, si diell që lind pas stuhisë.