Opinion sportiv nga Bruna Gosa

KF Egnatia i beson të ardhmen trajnerit të ri për ekipet U17 dhe U19

Rrogozhinë, 1 Nëntor 2026 – Akademia KF Egnatias ka bërë një lëvizje të rëndësishme në strukturat e saj teknike, duke ia besuar drejtimin e dy ekipeve kryesore të moshave, U17 dhe U19, një emri të ri në pankinë. Lajmi është konfirmuar nga vetë trajneri, i nderuari Jurgen Kofsha, përmes një mesazhi plot motivim në rrjetet sociale, ku shpreh mirënjohjen për këtë përgjegjësi të dyfishtë.

Në reagimin e tij të parë, trajneri i ri e ka cilësuar këtë emërim si një shtysë të madhe për karrierën e tij:

“Një detyrë e re, një përgjegjësi më e madhe dhe një motivim edhe më i fortë! Mirënjohje për besimin që më është dhënë për të drejtuar Egnatia U17 dhe U19. Do të jap maksimumin, me pasion, punë dhe përkushtim, për të justifikuar këtë besim.”

Një falënderim i veçantë nga ana e trajnerit ka shkuar edhe për Drejtorin e Akademisë së klubit rrogozhinas, për të nderuarin Anxhelo Suta, i cili ka qenë njeriu kyç në këtë përzgjedhje dhe që po vazhdon punën për strukturimin e elementit të ri te Egnatia.

Një projekt me peshë për të ardhmen
Marrja e drejtimit të dy grupmoshave kaq delikate si U17 dhe U19 tregon për një projekt afatgjatë dhe besim maksimal nga drejtuesit e klubit. Këto dy ekipe konsiderohen si “fabrika” kryesore që furnizon ekipin e parë të Egnatias, i cili për shumë vite ka qenë i pamposhtur, protagonist absolut në futbollin shqiptar.
Tashmë, sfida e madhe e stafit të ri do të jetë jo vetëm arritja e rezultateve në kampionatet respektive, por mbi të gjitha rritja profesionale dhe përgatitja e talenteve për t’u bërë gati për skenën e madhe të Superiores.