Tahir Kadare figurë madhore kombëtare

Gjenerali Tahir Kadare një nga figurat e shquara të LANÇ

U lind në lagjen Dunavat të Gjirokastrës, në vitin 1913, në një familje patriotike. Sakua, babai i Tahirit, kishte 4 djem e 2 vajza. Kjo familje kishte lidhje të ngushta me familjen Topulli. Sakua me patriotët e tjerë gjirokastritë mori pjesë në Luftën e Vlorës 1920. Dy djemtë e mëdhenj të Sakos, ishin këpucarë, ndërsa dy të tjerë Tahiri e Muhedini vazhduan shkollën. Tahiri mbasi mbaroi shkollën e mesme, vazhdoi shkollën mbretërore ushtarake ku u gradua oficer. Ai , falë karakterit dhe shpirtit patriotik, duke parë krimet e shtetit zogolljan dhe të vetë mbretit zog, vrasjet, torturat e luftëtarëve patriotë e braktisi ushtrinë. Në vitin 1935 ndiqesh nga spiunët. U kap, u burgos dhe u përjashtua nga ushtria. Pas lirimit nga burgu ai u kthye në Gjirokastër dhe bashkë me Bedri Spahiun hapën një kafene, e cila u bë baza e punës së tyre për propagandimin e ideve komuniste dhe lëvizjen antifashiste. Ai do të bëhej anëtar i qarkorit të PK dhe punoi shumë në zonën e Zagorisë dhe me shokët e zonës parë Vlorë-Gjirokastër.
LANÇ sa vinte po zgjerohej, pas krijimit të çetave e batalioneve partizane, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, lëshoi urdhrin për krijimin e brigadave partizane formacioneve më të mëdha ushtarake më të organizuara e të kompletuara. Më 26 janar 1944 në qytetin historik të Përmetit u krijua Brigada VI Sulmuese Hero i Popullit.. Komandant i saj u caktua ushtaraku trim nga Dunavati Tahir Kadare personalitet i përgatitur e progresist, me kulturë ushtarake dhe patriot i shquar për mbrojtjen e Atdheut.
Brigada VI Sulmuese nën komandën Tahir Kadaresë përballoi shumë beteja të furishme. Që në ditët e para që mori detyrën u ndesh ballëpërballë me nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre të Ballit Kombëtar, Legalitetit e Co.. Që në ditë e inaugurimi Brigada, u gjend e rrethuar në Përmet. Tahir Kadare organizoi qëndresën. S’ka rrethim pa një dalje- u tha shokëve! Përpara djema! Brigade pas komandantit u hodh në kundërsulm çau rrethimin dhe çliroi Përmetin. Herën e dytë, ndodhi më 8 shkurt, në luftimet bajonetë më bajonetë në Lunxhëri ku iu ngrit edhe kënga:
Në Lunxhëri te një breg
Bajonet më bajonetë…
Shokët tregonin se kur brigada ra në këtë rrethim ai nuk e humbi toruan, por u dha zemër e guxim partizanëve duke thirrur: Përpara! Dhe me automatik në dorë, u sul i pari përmes plumbave duke zbrazur automatikun… Brigada doli nga rrethimi. Armiku u shpartallua dhe u tërhoq në drejtim të Gjirokastrës.
Përsëri komandanti trim Tahir Kadare, në majën e Rrufeve të malit të Kunjorës në Kurvelesh, Kuç, që e nxori brigadën nga rrethimi, kur të gjithë thoshin, se atje i erdhi fundi. Po komandant Kadareja përsëri nuk e humbi toruan, sërish i dha zemër dhe guxim brigadës dhe thirri: Mbas meje, djema! Dhe brigada shpërtheu në sulm, doli nga rrethimi .
Shkrimtari Resul Bedo, pjesëtar i Brigadës VI S. dhe kuadër i saj në shkrimet e tij thotë: …”Kur kërkoi të shoh guximin partizan, atë e shoh te ai, kur kërkoi të shoh trimërinë e partizanëve, atë e gjej te ai, kur kërkoj të shoh syrin tënd, o shoku komandant, e shikoj atë për herë te syri i pushkës. Asnjëherë nuk t’u drodh zemra nga fishkëllimat e plumbave dhe gjëmimi i topave. Kur kërkoj të shoh shpirtin tënd, shpirtin e gjej të shkrirë në një të vetme me luftëtarët e brigadës partizane. Në kujdesin e partizanëve të Brigadës VI S asnjëherë nuk fashitet zëri yt, o shoku komandant”.
Ky ishte komandanti i Brigadës VI S, gjirokastriti i lagjes Dunavat gjenerali Tahir Sako Kadare. Por këto merita që ushtarakun Kadare tregoi në drejtimin e Brigadës në situate të veçanta e të vështira luftarake, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, e vlerësoi dhe e ngriti në përgjegjësi, e emëroi komandant të Divizionit II të UNÇ e përbërë nga tri Brigada; III, XVIII dhe VI.
Mbas çlirimit të vendit Tahiri punoi në sektorë të ndryshëm të Ushtrisë. Komandanti i Brigadës VI Sulmuese dhe Divizioni II të UNÇSH, në vitin 1949, dërgohet në BS në akademinë ushtarake “Frunxe”.
Pasi kthehet punoi në Ministrinë e Mbrojtjes ku ka dhënë një kontribut të madh në përgatitjen teorike – praktike të ushtarakëve të Ushtrisë Popullore. Për këto merita të shquara dhe aftësi ushtarake të tij ai ka marrë gradën Gjeneral.
Gjeneralin Tahir Kadare një nga figurat e shquara të LANÇ dhe të ushtrisë shqiptare nuk mund ta mbulojë pluhuri i harresës. Ai ka ka dhënë një kontribut të madhe në shërbim të Atdheut, si patriot dhe kontribues në historinë e LANÇ, në Gjirokastër e në gjithë Shqipërinë e përtej kufijve shtetërorë. Meritat e tij nuk hiqen, ato ai i ka fituar me sakrifica të mëdha me gjak e djersë, ai është veteran i LANÇ. Në jetë nuk ka rëndësi vetëm gjatësia e saj, por vlerat e mëdha, virtytet njerëzore, fisnikëria dhe karakteri burrëror që ju lë pasardhësve, pra brezave të ardhshëm, popullit dhe atdheut tënd dhe ky njeri ja ka lënë.
Me rastin e 75-vjetorit të Brigadës, ku 90 përqind e shokëve të tij të armëve që luftuan krah për krah këtij komandanti të lavdishëm të Luftës II Botërore, sot nuk jetojnë më, por ata që kanë mbetur e kujtojnë dhe e nderojnë siç nderohen trimat. Por edhe pasardhësit, djemtë e vajzat e partizanëve të kësaj brigade, bëjnë të njëjtën gjë, kujtojnë e nderojnë me shumë respekt komandantin e baballarëve të tyre partizanë… Po pushteti demokratik hesht… Pse?
I paharruar kujtimi i Tahir Kadaresë!

Tomor Hoxha
Pasardhës veterani dhe vëlla i dëshmorit të Brigadës VI S

Leave a Reply