Ramushi flet për situatën në Shqipëri

Ndihma dhe gatishmëria e qytetarëve, institucioneve tona, bizneseve dhe vullnetarëve, për t’u dalë në ndihmë financiare, strehuese dhe humane bashkëkombësve tanë në Shqipëri, të prekur pas tërmetit me pasoja tragjike, është përtej çdo pritjeje.

Faleminderit që hapët zemrat dhe dyert tuaja!

Në këtë situatë emergjente, si Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës po qëndroj në Kosovë, për të menaxhuar gjithë angazhimin institucional që ne si Qeveri e kemi nisur, menjëherë pas kësaj tragjedie.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet tona, që tashmë kanë marrë detyrat e tyre dhe janë bërë bashkë me ekipet shqiptare në zonat e prekura nga tërmeti.
Ushtria e Kosovës, Policia, ekipet nga KEK, Trepça, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, ekipet e tjera emergjente do të vazhdojnë të jenë në Shqipëri, për aq kohë sa është e nevojshme angazhimi Ynë!

Po ashtu, kemi vendosur që të gjitha ndihmat e qytetarëve dhe bizneseve tona të grumbullohen në Kazermën e FSK-së në Prizren, të cilat pastaj në mënyrë institucionale do të përcillen për në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, jemi duke u angazhuar që të mobilizojmë edhe instanca të tjera të ndihmës dhe strehimit, duke aktivizuar çdo institucion të nevojshëm për raste të tilla.

RH

Leave a Reply